Besjana Kërtusha: Tradita jonë si një vend konservator, ka zakone e mentalitet ndryshe

659
Personazh/Këngëtarja e diasporës, Besjana Kërtusha: Nuk kam ndonjë idhull dhe nuk do të doja të kopjoja dikë

Besjana Kërtusha është këngëtarja bukuroshe që pothuajse të gjithë jetën e saj është marrë me muzikë. Talentin e ka zbuluar që në moshë të vogël, kur këndonte nëpër festivalet për fëmijë dhe që nga ai moment, kënga u bë pjesë e pandashme e jetës së saj… Ajo e do këngën që brenda saj ka botë dhe i qëndron kohës edhe pse tashmë, komercialiteti është bërë baza e muzikës shqiptare. Kjo është Besjana, që e dashuron muzikën live dhe jetën e saj në tërësi! Ja si shprehet ajo për “Telegraf”
-Besjana, dëshiroj t’ju falënderoj për kohën që po i kushtoni kësaj interviste. Është kënaqësi për mua. Ti ke vite që merresh me muzikë…?
Po, qysh në moshën 10-vjeçare. E kam nisur në festivalet e fëmijëve në Shkodër, në koncerte e ansamble brenda dhe jashtë vendit. Më pas, përfundova studimet për kanto dhe kështu vazhdoi rruga ime drejt muzikës.
-Sa këngë keni në repertorin tuaj dhe cila njihet si këngë hit? 
Janë të shumta dhe nuk mund t’i veçoj. Këngët janë si fëmijët, të pandara dhe nuk bën dot dallime, por këto dy të fundit janë më aktuale dhe më pranë publikut, ‘Mëngjesi im” dhe “Hape zemrën’
-Kur keni plan për të realizuar ndonjë album ? 
Mendoj që albumi, pavarësisht që nuk ecën në ditët e sotme, duhet të realizohet njëherë në pesë vjet për të përmbledhur këngët e këtyre viteve. Ndërsa klipet janë vërtet të rëndësishme sepse linçohesh më shpesh dhe mbetesh në treg për të pasur oferta të ndryshme koncertore.
– Në sa vende të botës jeni ftuar për koncerte? 
Shumë vende! Kam kënduar nëpër koncerte, por edhe në mbrëmje të ndryshme që janë organizuar dhe më kanë ftuar, pothuajse në të gjithë Europën, Sh.B.A dhe kudo në diasporë.
– Ku jeni ndjerë më mirë? 
Në Sh.B.A, konkretisht në Arizona dhe Dallas.
-Njeriu ka dhe s’ka idhuj në jetë ose më mirë të themi ka dhe udhërrëfyes të së mirës, ju keni të tillë?
Nuk kam ndonjë idhull dhe nuk do të doja të kopjoja dikë. Përpiqem të jem sa më origjinale dhe nuk dua të adhuroj askënd. Adhurimi im i përket fesë sime. Jam tepër e kujdesshme në këto gjëra, idhujt për mua s’kanë vend.
-Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot? 
Nuk mund të flas për probleme, që mund të ketë femra shqiptare, pasi mendoj se edhe në vendet më të zhvilluara në botë, femra ka problem dhe ato ndeshen e preken kudo. Vlen për t’u nxjerrë në pah dhe për t’u theksuar emancipimi i femrës shqiptare gjatë këtyre 20-viteve demokraci, ku më në fund, ajo ka mundësinë të shpalosë forcën e saj dhe t’i shërbej më vlera dhe me më shumë përgjegjshmëri sesa meshkujt familjes apo shoqërisë. 
-Ku vihet re maskilizmi i shoqërisë shqiptare? 
Unë mendoj se Shqipëria më shumë bën pjesë në një shoqëri apo kulturë maskiliste, ndoshta këtë e mendoj nisur nga tradita jonë si një vend konservator, zakonet e mentaliteti dhe është e vështirë t’i shmangesh këtij fakti. Në jetën tonë shumë norma dhe zakone kulturore të trashëguara kanë një ndikim të fortë në deformimin e realitetit social.
-Jeni supersticioze? 
Mund të them se po, çdo gjë e bardhë apo e zezë më fiksohet!
-Ushqimi juaj i preferuar? 
Supëzat e ndryshme dhe frutat e detit.
– Si do ta përkufizoni dashurinë? 
Dashuria është një motiv, një shtysë për të ecur përpara dhe pse jo, një forcë e madhe që të ndriçon edhe atëherë, kur ti ke më shumë nevojë për dritë dhe ngrohtësi.
-Kur ndiheni mirë, kur ju thonë jeni e bukur, apo këndoni bukur? 
Mmm…! Kjo pyetje është bërë gati traditë, por një femër që do ta quaj veten artiste, duhet jo vetëm të jetë e bukur dhe e zgjuar, por, padiskutim dhe e mirë në shpirt. Të mbaj rolin e saj dinjitoz si femër, kudo dhe me të gjithë.
– Kur revoltoheni? 
Ka plot gjëra që më revoltojnë: Zëri i lartë i muzikës në lokalin poshtë pallatit, papërgjegjshmëria e shumë njerëzve që mbajnë qen dhe i lënë ata të ndotin ngado nëpër vende publike, telefonatat pa karar, fqinji hileqar, kolegu pragmatist… Lista mund të bëhej e gjatë.
-Dhe për ta mbyllur: si qëndron raporti mes muzikës dhe familjes për ju ? 
Muzika & familja, janë dy dashuritë e mia dhe të pandara nga njëra-tjetra.


Shkrimi u publiku në Gazetën Telegraf të datës 19.12.2015
Sigal