Angelina Lalaj: Dashuria është ndjenja që të bën të mbyllësh sytë e veshët

718
Një vajzë e bukur, korrekte dhe vizionare. Edhe pse është një modele e kërkuar, ajo të ardhmen e shikon tek arsimimi, shkolla, librat. Asnjëherë kohën e lirë nuk e kalon kot, por e gjen duke lexuar, duke kërkuar në të rejat e profesionit dhe të formimit intelektual. Marrëdhëniet me njerëzit, i ndërton mbi baza respekti dhe vlerësimi. Inteligjente, por dhe serioze në ndërmarrjet që kanë të bëjnë me profesionin dhe arsimimin. Nuk është hakmarrëse, por lëndohet shpejt. Dëshiron që njerëzit të jenë më korrektë dhe t’i lënë mënjanë xhelozitë e sëmura. 
-Ke realizuar një set fotografik me motivet e festave, së bashku me të fejuarin tënd, Hermes. E kishe menduar më herët apo ishte një dëshirë e momentit? 
Me rastin e festave të fundvitit, së bashku me të fejuarin tim, Hermes realizuam një set të ri fotografik që mban vulën e fotografes Fjoralba Maliqi. Sigurisht, e kishim menduar më herët për të bërë këto foto, por pse jo edhe një dëshirë për të sjellë për publikun disa fotografi të reja. Duke qenë se është atmosferë festash, plot ngjyra, menduam që seti të përmbante motivet e kësaj periudhe në mënyrë që të realizohej diçka e këndshme dhe e veçantë.
-Nuk është hera e parë që realizon sete fotografike, por është hera e parë që realizove diçka festive. Si u ndjeve këtë herë?
Po, është seti i parë fotografik që unë realizoj me motivet e festave. Siç e shihni shfaqem me kapuç babagjyshi, janë disa dekore që identifikojnë atmosferën e festave, po ashtu edhe ngjyrat e veshjeve tona. U ndjemë shumë mirë, sepse të dy jemi mësuar tashmë me aparatin, duke qenë se fillimet tona kanë qenë në botën e modelingut. 
-Si po shkon bashkëjetesa juaj?
Bashkëjetesa po shkon shumë mirë. Në fakt, kishim menduar që për Krishtlindje të pinim edhe kafetë e para, në sensin që familjet tona të takoheshin me njëra-tjetrën, por babai i Hermesit pësoi një aksident dhe realisht ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore, e kemi shtyrë për disa muaj më vonë. Bashkëjetesa po shkon relativisht mirë, jemi të lumtur në krahët e njëri-tjetrit.
-Pas fejesës vjen dhe martesa, e sheh Hermesin si bashkëshortin tënd të ardhshëm? 
Është ende herët të flasim për këto gjëra, pasi të dy jemi vetëm 23 vjeç. Preferoj që gjithçka t’ia lemë kohës.
-Para pak kohësh ishe pjesëmarrëse në emisionin e mëngjesit ne TV ‘Klan’ së bashku me Hermes. Si u ndjetë? 
Para disa ditësh, isha pjesëmarrëse në emisionin e mëngjesit ‘Aldo Morning’, ku folëm për bashkëjetesën, duke dhënë disa detaje dhe ku vërtetoj se ne jemi bashkë në çdo vend, në çdo event. Nuk ishte aspak e sikletshme dalja ime në ekran dhe u ndjeva komode gjate intervistës me Aldon.
-Cila është pika më e fortë e marrëdhënies tuaj? 
Dashuria, kjo është pika më e fortë.
-Dashuria për ty, çfarë është? 
Dashuria është ajo që të le natën pa gjumë. Dashuria është ndjenja që të bën të mbyllësh sytë e veshët, të detyron të ndjekësh zemrën…
-Ty kush të ka thënë me plot gojën që je femër seksi? 
Nuk ka asgjë të keqe të jesh seksi, për sa kohë nuk je vetëm aq.
-Të ndalemi pak te historia me Hermesin, si nisi kjo histori, ku u njohët ?
Jemi njohur nga një mikja jonë e përbashkët. Ai më tërhoqi me thjeshtësinë e tij, më pas gjërat erdhën krejt natyrshëm.
-Çfarë të tërheq më tepër të Hermesi?
Çiltërsia, është i thjeshtë, bujar e i sinqertë dhe i përkushtuar në gjithçka.
-Ku do t’i kalosh festat? 
Festat mua më pëlqejnë shumë. Primare është familja, kështu që mund të them se deri në orën 00:00 do darkoj me familjen dhe Hermes e më pas me shoqërinë, kolegët e punës. Kam një agjendë mjaft të ngarkuar, por do mundohem të balancoj çdo gjë me kohën që kam në dispozicion.
Sigal