Amik Kasoruho: “Mundohem të jem unë në jetë e të mos më vëjë jeta në fund”

3731
Sigal

INTERVISTA/ Amik Kasoruho, me rastin e 80- vjetorit të lindjes

Më 20 nëntor 2012 mjeshtri i përkthimit dhe fisniku Amik Kasoruho mbush 80 vjeç . Një rrugëtim i gjatë, me zigzage të forta, me të papritura befasuese e shpeshherë të padëshirueshme. Një jetë që ia vlen të rrëfehet sepse mençuria, durimi, vullneti , toleranca dhe puna kanë ndikuar që njeriu Amik Kasaruho të shndërrohet në Mjeshtër duke mbetur Njeri. Kam pasur fatin ta njoh përmes faqeve të panumërta të përkthimeve të tij të disa prej veprave artistike që qëndronin në stendat e librarive të Tiranës pas viteve ’90. E shumë, shumë kohë më vonë, një takim i rastësishëm në mjediset e Panairit  të Librit më bëri të zbuloj njeriun dhe përkthyesin Amik Kasoruho. Aq sa ma ka lejuar bashkëbisedimi me të dhe kafetë e shkëmbyera hera- herës në qëndrimin e Tij përfundimtar në Tiranë. Tani posti i tij si Këshilltar i Kulturës pranë Presidentit, por edhe jeta e ngarkuar sociale me njohje e miqësi të reja e të qëndrueshme, nuk kanë ndryshuar asgjë në natyrën e tij, përkundrazi më kanë dëshmuar së bashku se jeta vërtet ia vlen të jetohet edhe për shkak të të papriturave të bukura që të ofron edhe atëherë kur nuk i pret, kështu që të kesh mundësinë të jetosh gjatë me cilësi  të mira mendore, fizike dhe shpirtërore  duke i vënë në shërbim të popullit tënd është pjesë e fatit por  edhe e urimit tim në këtë përvjetor  për mikun e mirë Amik Kasoruho.

– I bie që po të kthesh kokën pas e të kujtosh kohët dhe jetën e Kasoruhos, ka më shumë kohë të bukura apo të vështira?

– Të dyja bashkë. Nuk janë të ndara me thikë, por po të kujtoj, e bukur është fëmijëria ime, e bukur është rinia ime, kohë e bukur është edhe koha kur kam qenë në burg, po e ndjeja veten në nivel më të lartë, sesa e ndjenin bashkëmoshatarët e mi, sepse isha në shoqërinë e njerëzve të ditur. E bukur ishte edhe koha më pas sepse kisha shpresa që ranë të gjitha përtokë, se nuk pata asnjë mundësi për të çarë përpara. E bukur është edhe tani pleqëria se më jep mundësinë të vlerësoj edhe veten, por edhe ata që kam përreth.

– Figura e nënës si është në kujtesën tuaj?

– Në qoftë se do flas për nënën time është një gjë, nëse do flas për nënën në përgjithësi është tjetër gjë. Nëna ime ishte një grua shumë e dashur, deri në dhembshuri. Një grua që nuk e kishte për gjë të ndante me tjetrin atë që kishte, ishte një nënë që pretendonte shumë nga i biri, mundohej t’i nguliste njohuri që nuk do t’i gjente dot, i pëlqente shumë që i biri të mësonte gjuhë, i pëlqente shumë që i biri të dilte mirë në shkollë. Të ishte i shkëlqyer. Të kishte një të ardhme të mirë. Nëna ime ishte si shumica dërrmuese e nënave që duan të shohin mirë fëmijën e tyre.

– Po babai?

– Babain e kam njohur më pak, sepse në kohën kur fillova të formoj vetëdijen time, në adoleshencë,  babai jetonte në Rubik. Vinte një herë në dy muaj në shtëpi. Ishte figura e paprekshme në familjen tonë. Simbolizonte mirësinë, mençurinë, dashurinë. E kam patur të mrekullueshëm.

– Cili është sekreti që gjen z.Amik Kasoruho për t’i quajtur të bukura periudhat më të vështira që ka jetuar, qoftë edhe periudhën e burgut?

– Një mendim krejt personal, e bukur për mua është ajo që më prek, ajo që më përlot, ajo që më hidhëron, ajo që më bën të vuaj, të ndjej, të gëzohem, ajo që më prek në shpirt, pavarësisht nga vlera relative që mund të ketë. E kësi bukurish kam patur në jetë, edhe kam.

– Çfarë roli kanë luajtur librat, autorët  në jetën tuaj?

–  Unë kujtoj që është i njëjti rol që ka luajtur në jetën e gjithsekujt, ose të paktën të atyre që kanë patur një marrëdhënie me librin. Unë jam formuar nga libri përpara se të formohesha nga njerëzit. Ndoshta sepse më ka rrethuar gjithmonë që në fëmijëri bota e librit, ndoshta sepse im atë dhe ime më’ që njihnin gjuhë më shtynin të lexoja, ndoshta sepse në adoleshencën time nuk kishte mënyrë tjetër për të kaluar kohën, ishte vetëm libri, ndoshta sepse librat atëherë nuk gjendeshin siç gjenden sot, do të lexoje atë që të binte në dorë. Dashje pa dashje më ishte ngulitur një dëshirë për të lexuar, sa që na u shkri bashkë me gjakun tonë dhe kështu u rritëm.

– Është i shtrenjtë loti për ju? Kur e derdhni atë?

– Unë e derdh sa herë kam mall, sa herë shoh një padrejtësi, sa herë më mbysin kujtimet, sa herë shpresoj, kur s’mundem të bërtas.

– Çfarë është liria për ju?

– Është një vlerë e pazëvendësueshme, është mundësia për të jetuar pranë njerëzve duke dashur njerëzit e duke u dashur prej tyre.

– Çfarë ju lumturon?

– Paqja dhe mirësia mes njerëzve. Familja, miqësia, kthimi në Shqipëri, puna, vlerësimi i të tjerëve.

– Të kesh besim në diçka. Të shpresosh në diçka. Edhe kur gjithçka është e errët rreth teje. Mendoni që është një veti që kultivohet apo lind me njeriun?

– Në burg, e kam shkruar edhe në librin tim të fundit, kam qenë me Pjetër Gjinin që ka qenë edhe muzikolog, folklorist, pak poet. Ai kishte një vjershë. Në kohën e pushtimit italian, u krijua një ndërmarrje që furnizonte nëpunësit me ushqime, me dru, etj.. Një ditë Rrema, një katundar Tirane ngarkon gomarin me dru dhe vjen në qytet të shesë dru. Vjen vërdallë tërë ditën, nuk shet dot  dhe i lodhur kthehet në shtëpi, në katundin e tij. I thotë gomarit:

-Ruaje  durimin

Ndër vakte të ardhçme çoje mendimin,

Atëherë të dy së bashku kemi me kujtue

Se kush don dru!

Më duket se kjo është një filozofi që vlen.

–   Çfarë ju trishton?

– Keqkuptimi. Më trishton shumë. Padrejtësia më tepër. Mundohem të jem i drejtpërdrejtë në komunikim.

– Sa i rëndësishëm  ka qenë për ju shkrimi dhe botimi i librit që më së fundi, vjen në shqip “Ikje nga trilli i perëndive”?

– Ndoshta më i rëndësishëm ka qenë botimi, sesa shkrimi. Sepse botimi do të realizonte dëshirën që ka çdo njeri që shkruan. E kam botuar në Itali, është ribotuar disa herë, është pritur mirë. Por nuk kam patur as kënaqësinë dhe emocionet që kam ndjerë në Prishtinë e sidomos në Tiranë, sepse kisha thirrur shumë njerëz që kanë patur të bëjnë drejtpërsëdrejti, apo në mënyrë të tërthortë me jetën time dhe e ndjeja sikur po kthehesha pas, sikur po rijetoja jetën time, ishte shumë më i rëndësishëm sepse më ktheu në Shqipëri, në Tiranë.

– Do më pëlqente të më tregonit se si jeni njohur me bashkëshorten tuaj.

– Jemi njohur në Kavajë. Unë atëherë jetoja në Kavajë, ajo vjen si mësuese në Kavajë, para pesëdhjetë vjetëve, kur ishte një katund i madh, ku një çupë e veshur mirë binte në sy. Aty jemi njohur. Jemi  dashur. Ajo sakrifikoi për mua. Kishte mundësi të bënte një zgjedhje më të mirë, nuk e bëri. Preferoi të vinte me mua, jetoi 27 vjet në Gosë të Kavajës.

– Do doja të dija nga ju se çfarë është ajo forcë, ajo gjendje, ai mendim, ajo tërësi mendimesh që ju ka bërë të ruani ekuilibrin brenda vetes dhe me botën që ju rrethon?

– Unë kujtoj se një ndër arsyet ndër shtysat të jetë ajo që njeriu ndjen nevojë të lëjë gjurmë. Nuk do kishte kuptim të jetoja e mbas vdekjes sime të  … nuk do doja të ishte një jetë e zbrazët. Nuk është e lehtë për njeriun që ka jetuar  njëzet vjet larg  e mërgimi të krijon kushte jetese të tilla ku nuk e gjen dot veten…

– Do doja të ndaloja te miqësia juaj e pashlyeshme me Robert Shvarcin. Çfarë e bën mik, një mik që të mundon pafundësisht?

–  Në qoftë se flitet për Shvarcin, kishte cilësi të jashtëzakonshme. Ishte i pastër, kishte shpërthime të tij, por ato ishin gjithmonë të shtyra nga sinqeriteti. Nuk e kam parë kurrë të ulte kokën. Shvarci ka patur një zemër të madhe, unë e kam thënë edhe në raste të tjera, e kam përmendur, kur  në ’56 unë u lirova nga burgu dhe bridhja nga shtëpia në shtëpi për të fjetur dhe kisha hallin e madh se kush më strehonte, duhej të më regjistronte në një libër shtëpie ku shënoheshin mysafirët, ku kanë ardhur, pse kanë ardhur, sa do rrinë, e duhej dorëzuar në polici, në atë kohë i vije në pozitë të vështirë njerëzit. E Shvarci më ka mbajtur në shtëpinë e tij. Me arsyetim e thjeshtë, gjithë bota e di që jemi miq, çfarë të keqe ka? Ky ishte Shvarci. Unë i jam detyruar edhe për një këmbim të vazhdueshëm të mendimeve, kritikave, Shvarci për mua është i pazëvendësueshëm.

Rezarta Reçi