Aleksandër Dragoti:“Piktura është delikate, specifike, piktorët mbijetojnë me vështirësi”

1394
Sigal

INTERVISTA/ Flet piktori i talentuar Aleksandër Dragoti: “Piktura është një art që të mbërthen”

Jeta e tij është lidhur pazgjidhshmërisht me pikturën. Studion e tij e ka kthyer në shtëpi të parë, pasi aty kalon 16 orë në ditë. I preferon të gjitha gjinitë e pikturës, madje, kohët e fundit ka filluar të lëvrojë më shumë abstraksionizmin. Është origjinal dhe është i dhënë pas pikturave me përmasa të mëdha. Por shumë diskutim në rrethet e piktorëve dhe në kritikët e saj ka ngjallur piktura e përmasave të mëdha  4×1.5 m ‘Darka e fundit e Krishtit” ose “Gjyqi”. Në këtë pikturë i nxitur nga i madhi Leonardo Da Vinçi ai përcjell në mënyrë perfekte mesazhin se si  njeriu duhet të jetë i kujdesshëm në jetë.

 Këto ditë babai juaj mori medaljen e lartë “Nderi i Qarkut të Gjirokastrës”. Si u ndjetë?

Shumë i mrekulluar. Më së fundi dhe babait tim, Asafi, veteran i luftës, Komandant i Brigadës së VIII-të sulmuese pas vdekjes ju dha një medalje që i takonte. Falënderoj shumë drejtuesit të Qarkut të Gjirokastrës për vlerësimin që i bëri figurës së babait tim. Lufta N-Ç, ku ne u radhitëm në frontin kundër bishës nazi-fashiste, ka qenë një luftë heroike. Unë kësaj lufte i kam kushtuar disa piktura.  Babai im pas lufte ka punuar në Ministrinë e Mbrojtjes duke qenë nja nga drejtuesit kryesor të saj.

 Përse kohët e fundit jeni dhënë shumë pas pikturave me përmasa të mëdha. Ose të themi pas pikturave të salloneve dhe të ambienteve  të zyrave të institucioneve të ndryshme?

 Ka shumë arsye, por ajo që dua të theksoj është se piktura të tilla janë të rralla dhe bien shumë në sy. Kjo rënie në sy sjell shumë kureshtarë, shumë dashamirës, shumë amatorë pa dyshim dhe shumë profesionistë dhe afaristë. Duke pasur parasysh se, piktura të tilla duan shumë angazhim, shumë impenjim, punë kolosale dhe shitje të vogël janë lënë disi në harresë. Ndaj unë dua t’i çoj nga harresa këto lloj pikturash, që përcjellin mesazh, por edhe kërshëri. Përpara përmasave të tilla çdo njeri ndalet qoftë edhe për pak sekonda.

 Në disa piktura ju i referoheni dhe ikonave fetare…

Unë kam punuar shumë kohë në Greqi nëpër kisha me ikona të tilla. Puna me to më jep gëzim dhe gjallëri. Janë ikona që pasqyrojnë engjëjt apo apostujt. Dhe këta janë të shumtë, nuk janë të njëjtë. Veshja e tyre, puna e tyre që i ka kthyer në njerëz të shenjtë, mendimi i tyre, paraqitja e tyre, janë cilësi që të bëjnë të jesh i dashuruar dhe të bësh diçka të bukur. Në fund të fundit kur derdh në art tek engjëjt ke bërë një detyrë qiellore që zoti të përkrah.

 Piktura një art i drejtpërdrejt. Një jetë me pikturën …Ç’është për ju piktura?

 Ashtu është, një art i drejtpërdrejtë. Piktura tek unë është vetë jeta. S’mund të rri asnjë çast pa penel në dorë. Punoj me orar të zgjatur pasi kur marr penelin ai ta humb nocionin kohë. Piktura është magji, është një art që të mbërthen. Kur zë me dorë një pikturë harrohem dhe mund të më ndajë nga peneli zilja e celularit ardhja e ndonjë miku, apo pjesëtarët e familjes. Kur nis një pikturë dua ta mbaroj sipas idesë time, mendimi më gërryen dhe n.q.s do ta lë më duket se mendimi do të më iki. Disa herë jam harruar deri në mesnatë. Kjo atelie e thjeshtë është vetë jeta ime, vendi, ku lindin dhe zgjohen ëndrrat e mia.

 Ju rridhni nga një familje patriotike, nga rrjedh fisi i Dragotëve?

 Me origjinë jemi nga Tepelena, nga ai vend plot male dhe shkrepa me njerëz, të ashpër, por krenarë, të dashur, bujarë, por shumë patriot. Në këtë vend kanë lindur heronj të përmasave kombëtare që koha ju ka dhënë vendin që ju takon. Babai im ka qenë ushtarak deri ministër në vitet e para pasluftës dhe mësimet e tij i ruaj dhe sot e kësaj dite në kujtesë. Sten Dragoti është djali i xhaxhait tim që edhe pse i lindur në SHBA, asnjëherë nuk e harroi vendin e të parëve. Jam krenar që jam tepelenas dhe nga fisi që mbaj mbiemrin.

 Po në Shqipëri a vlerësohet sa duhet piktura?

 Them se ende jo. E them me bindje ende jo. Nuk është krijuar ajo kulturë që piktura të jetë e domosdoshme në çdo familje, çdo shtëpi. Kjo për shumë arsye. E para se pse s’kemi pas një traditë shekullore, por dhe se jemi një vend i varfër ku shumica ende se kanë mundësinë ekonomike që të kenë një pikturë të shtrenjtë në shtëpi. Sot piktura quhet një profesion elitar dhe kërkohet apo blihet vetëm nga intelektual apo familje të kamura.

 A ka konkurrencë mes piktorëve dhe a mund të jetohet sot me pikturë?

 Konkurrenca është bërë e madhe, pasi jemi dhe një vend i vogël. Është rritur numri i piktorëve cilësorë, pasi duhet thënë se Shqipëria ka nxjerrë piktorë shumë të mirë që respektohen kudo në botë. Për këtë arsye piktorët kanë emigruar. Aktualisht, është shumë e vështirë të jetosh me pikturë. Shpesh herë jemi të detyruar të ulim çmimet pasi dhe fuqia blerëse është e vogël.  Piktori sot mundohet të mbijetojë duke nxjerrë nga duart vepra arti të mrekullueshme që asnjëherë nuk marrin vlerësimin që duhet.