Akademike Floresha Dado: Letërsia e epokës së Agollit

497

Vepra e Dritëro Agollit është në grupin e shkrimtarëve më të preferuar

 

Vlerësim mbi personalitetin e Dritëro Agollit

Për dhënien e titullit “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti i Korçës

 

Ka personalitete të kulturës sonë që, me kompleksitetin e veprës së
tyre dhe, duke qenë pjesë e pandarë e jetës sonë shpirtërore, e bëjnë të
vështirë ripërsëritjen e atyre vlerësimeve që ata kanë marrë nga lexuesi i
tyre, nga qytetari i thjeshtë, nga çdo shqiptar, që ndjek prej vitesh vlerat
dhe figurat morale të këtyre personave. Vështirësia, në rastin e vlerësimit
kompleks të shkrimtarit, intelektualit të shquar Dritëro Agolli, vjen prej
faktit se çdo gjë që të thuhet sot duket se është gjithnjë e njohur, se kudo
dhe kurdo ne kemi ndjekur një figurë me vlera të spikatura, si në fushën e
letërsisë, ashtu dhe në jetën morale e sociale. Është e natyrshme që nderimi i
këtij personaliteti me çmimin “Doktor Honoris Causa” të afirmohet nga një prej
universiteteve tona, sepse, nëse flitet për vlera të sferës njerëzore e
kulturore, është në radhë të parë sistemi universitar ai që lidhet në mënyrë më
të drejtpërdrejtë me rolin dhe vendin që u takon figurave të tilla. Është
pikërisht universiteti shqiptar që ndërton drejtpërdrejt, por edhe tërthorazi,
një sistem vlerash origjinale, si të sferës letrare, ashtu dhe të sferës
moralo-shoqërore.

 

Vlerësim absolutisht i merituar

Duke u ndalur shkurt në arsyet pse dhënia e titullit të lartë është një
vlerësim absolutisht i merituar, do të vija në dukje disa argumente themelore:

Së pari, Dritëro Agolli është ndër ata shkrimtarë që ka qenë edhe
mbetet pjesë e pandarë e gjithë procesit mësimor të shkollave, por edhe të
universiteteve shqiptare. Krijimtaria e tij letrare, që prej fillimeve të saj e
deri në ditët e sotme, është bërë pjesë shpirtërore e gjithë lexuesve,
studentëve të drejtimeve dhe specialiteteve të ndryshme. Në aspektin e formimit
humanitar vepra e Dritëro Agollit është në grupin e shkrimtarëve më të
preferuar. Krijimtaria e tij letrare ka përcjellë në shkollat tona, të të
gjitha niveleve, ide dhe parime morale, që kanë të bëjnë me formimin shpirtëror
të brezit të ri, me vlerësimin e aspekteve të tilla formuese, që përbëjnë bazën
e ndërtimit të një shoqërie të shëndetshme, që ka parime në konceptimin e jetës
së individit, dhe të gjithë shoqërisë. Proza dhe sidomos poezia e Dritëro
Agollit ka reflektuar vazhdimisht ndjesi të fuqishme të dashurisë për vendin,
për të ndershmen, për raporte njerëzore midis njerëzve, për sinqeritetin dhe
ndershmërinë e komunikimit. Vepra e Agollit, duke qenë në grupin e autorëve më
të shquar të letërsisë shqiptare, përcjell gjithnjë mesazhe njerëzore, parime
të një morali dhe marrëdhënieje të qytetëruar. Përmes një komunikimi origjinal,
herë përmes humorit, herë përmes dëshpërimit njerëzor, herë përmes afirmimit të
idealeve sociale, shkrimtari ynë ndërton një marrëdhënie krejt të veçantë me
shqiptarët e tij, ku mbizotëron, nga njera anë thjeshtësia, mënyra e
drejtpërdrejtë e shprehjes, nga ana tjetër filozofia e thellë njerëzore mbi
thelbin e jetës dhe të njeriut. Është pikërisht kjo filozofi e brendshme, që
vjen thjesht e pa bujë, që depërton në shpirtin tonë. Kështu studentët e
universiteteve tona, në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe të tërthortë,
përthithin filozofinë jetësore ashtu thjesht, por thellësisht të prekshme. Dhe
ne e dimë se një autor pëlqehet, bëhet pjesë e jetës sonë shpirtërore, atëherë,
kur tërthorazi ai godet në thellësitë e ndjenjave; ne buzëqeshim, vrenjtemi,
mrekullohemi sepse Agolli arrin të na pushtojë pa u ndjerë. Prandaj një ndër
arsyet që Universiteti ndjen detyrimin moral për ta vlerësuar këtë personalitet
të kulturës është marrëdhënia aq njerëzore që ka ndërtuar prej vitesh, me botën
shpirtërorë të rinisë sonë, në të gjitha nivelet e arsimimit të saj.

Arsyeja e dytë, që unë mendoj se vlerësimi me këtë çmim është një
detyrim moral i universiteteve tona, ka të bëjë me modelin që përcjell
krijimtaria e këtij autori lidhur me vlerat e pashtershme të përdorimit të fjalës
shqipe. Studentët dhe nxënësit e të gjithë niveleve kanë gjetur në prozën dhe
poezinë e Agollit dashurinë për gjuhën shqipe, intuitën e përdorimit të saj në
mundësitë e brendshme të pafund, përzierjen mjeshtërore të leksikut të
hapësirave të gjera. Kjo i ka zbuluar atyre vlerat e gjuhës shqipe, sidomos në
spontanitetin e shprehjes së ndjenjave më të thjeshta njerëzore, komunikuar
shpesh përmes një humori të këndshëm. Kjo i ka dhënë ligjërimit të Agollit një
forcë të brendshme komunikuese dhe depërtimi në shpirtin njerëzor.

Arsyeja e tretë, që unë mendoj se vlerësimi me këtë çmim është një
detyrim moral i universiteteve tona, ka të bëjë me filozofinë e lidhjes së
veprës së këtij personaliteti me misionin dhe figurën e tij në zhvillimet
ideore e sociale të shoqërisë sonë. Një mendje e hapur, e pa kompromentuar, një
kurajë qytetare që pozicionohet ndershëm në problematikën shqiptare, jashtë
komplekseve të përshtatjes apo interesit të ngushtë personal, besnik i ndershëm
i ideve që e udhëheqin në jetë, mendimtar i urtë, që synon të shkojë përtej
situatave konfliktuale, që synon të ndikojë me largpamësi në zhvillimet e
vendit të tij, etj. Dhe të gjitha këto qëndrime, nuk kanë asgjë të përbashkët
me bujën mediatike, me kompleksin e të dukurit sa më interesant dhe dogmatik.
Dritëro Agolli ka sjellë një model të ri, thellësisht origjinal, të
papërsëritshëm, të komunikimit mediatik dhe bisedor: thjeshtësinë, shprehjen e
drejtpërdrejtë, humorin e vetvetishëm, ndaj të cilit askush nuk mund të mbetet
indiferent. Kjo mënyrë e drejtpërdrejtë, që ka në themel besnikërinë ndaj një
morali të ndershëm njerëzor, është modeli më i suksesshëm për formimin e
brezave të rinj, që sidomos në realitetet e sotme, duhet të gjejnë brenda vetes
vlerat e vërteta, parimet e moralshme, mbi bazën e të cilave duhet të ndërtojnë
marrëdhëniet e gjata me shoqërinë shqiptare, por në radhë të parë edhe me
vetveten.

Duke vlerësuar, shumë shkurt, personalitetin e Dritëro Agollit, mendoj
se dhënia e titullit “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti i Korçës është, pa
diskutim, një nderim edhe për vetë këtë Universitet, i cili ka dëshmuar faktin
se figura e këtij personaliteti ka lidhje të ngushta, të tërthorta, por edhe të
drejtpërdrejta me brezin e ri që arsimohet në këtë Universitet, por dhe në gjithë
shkollat dhe universitetet shqiptare. Ky është një nder që sigurisht i takon
personalitetit të shquar të kulturës sonë, por që, njëkohësisht dëshmon se sa e
rëndësishme është edhe kuptimi i vlerave dhe nderimi i këtyre figurave nga
shoqëria shqiptare.