Agron Mema: Dita e kulturës rumune në ditëlindjen e Eminescut

843
Sigal

Prej disa vitesh 15 janari shënon Ditën e Kulturës Rumune. Me këtë rast, Fondacioni “Nicolae Jorga“ në Sarandë, organizoi një ditë takimi me kulturën e popullit rumun, fokusuar në personalitetin e rumunit të madh Mihai Eminescu. “Është domethënëse për dimensionin e Eminescut, fakti që 15 janari është shënuar si Dita e Kulturës rumune, në nderim të ditëlindjes së tij”, tha ambasadori i Rumanisë në Tiranë Octavian Serban. Në përshëndetjen e tij për aktivitetin, Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, tha se “Rumunët dhe arumunët nderojnë një nga kollosët e kulturës së tyre, por edhe ne shqiptarët kemi detyrimin ta nderojmë Eminescun si një zë të fuqishëm në mbrojtje të integritetit të Shqipërisë, njësoj si Nicolae Jorga, bustin e të cilit e kemi në shetitoren e Sarandës”. Ai tha se minoriteti arumun në Sarandë, që është i vlerësuar e i respektuar nga pushteti vendor si pjesë e diversitetit dhe bashkëjetesës dhe si përcjellës i këtyre vlerave dhe identitetit kulturor. Në cilësinë e kryetarit të Fondacionit “Nicolae Jorga”, Pano Bakalli foli për trashëgiminë që vjen nga disa personalitete të mëdhenj të kulturës rumune, si: Viktor Eftimiu, Vasile Stoica, Mihai Eminescu, Nicolae Jorga etj. Ai nënvizoi se problemet e Rumanisë janë të lidhura ngushtë me zhvillimet kulturore shqiptare. Arkivat rumune janë plot me fakte dhe dokumente që tregojnë qartë, lidhjen, kontributin dhe mbështetjen e personaliteteve rumune në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare , sidomos në vitet e luftës dhe përpjekjeve të rilindasve tanë të mëdhenj, por edhe sot në proçeset e integrimit europian. Eventin e nderuan me praninë e tyre dhe e përshëndetën edhe kryetari i Bashkisë së Selenicës, Pëllumb Binaj, Kristaq Greveni nga Vlora, Prof. Ilia Bombaj, gazetarët Thoma Nika e Agron Mema etj. Aktori i mirënjohur Karafil Shena ndau përjetime nga eksperienca e tij skenike, që lidhen me figurën e Mihai Eminesku, si dhe interpretoi dy poezi, ndër më përfaqësueset e madhështisë së veprës poetike të këtij kolosi. Pjesë nga vepra e tij sollën me recitimet e tyre edhe fëmijë arumunë nga Saranda e Selenica.