Agim Janina: Me Bardhosh Gaçen, Shpella e Odiseut në Himarë, Bekim Fehmiu dhe Iren Papas gjatë xhirimeve të filmit, Odisa, grup skulpturor, projekti i rijetësimit të shpellës

Një trill, rastësi apo domethënie?

Në jetë të qëllon të takohesh me njerëz, të cilët në kujtesën e tyre kanë të rregjistruara takime, ngjarje që shpesh shkojnë përtej të besueshmes.

Sigal

Një prej tyre është studiuesi Bardhosh Gaçe. Në tryezë duke gjerbur kafen, është i rrethuar nga miq vlonjatë dhe bisedën e mban gjallë me historitë që tregon. Ato vijnë njëra pas tjetrës si në faqet e një enciklopedie njerëzore.

Gaçen e kisha takuar edhe herë të tjera dhe dija që kishte shoqëruar në vitin 2001 aktorin Bekim Fehmiu në Himarë për të parë nga afër e prekur Shpellën e Polifemit, ku Odiseu, luajtur nga Bekimi, i bëri rengun e zgjuar për të shpëtuar veten e shokët nga zëmërimi vdekje prurës të përbindëshit me një sy në ballë.

Bardhoshi e kujton me hollësi atë ditë, kur së bashku me aktorin dhe shoferin një italian, morën rrugën për në Himarë drejt shpellës që mban emrin “Shpella e Odiseut”. Ndërsa makina merr kthesat e Llogorasë, ai ndjek me sy reagimet e Bekimit, ndërsa i shpjegon vendet nga po kalojnë dhe historitë që lidhen me to.

– Dikur Gjirin e Himarës, e quanin “Gjiri i Odisesë”. E thonë hartat e vjetra.

Bekimi dëgjon dhe në buzë i endet një buzëqeshje e lehtë. Duket kureshtar, bën ndonjë pyetje dhe më shumë dëgjon, duke hedhur vështrimin përtej qelqeve të makinës. Rruga është e gjatë dhe ndërsa kalojnë në kurriz të Llogorasë, përtej shtrihet bregdeti dhe syri humbet në thellësi të detit, ku shquhen konturet e dy ishujve.

– Deri aty është Shqipëria – flet Bardhoshi. Atje është Himara dhe shpella…

Bekimi zgjatet si për të parë më mirë dhe duket që i janë shtuar emocionet. Kujtimet e çojnë larg. 40 vite të shkuara, me arvaniten, aktoren e famshme, ka qenë në shesh xhirimi dhe bisedojnë në një gjuhë që të tjerët s’e kuptojnë.

“Sa e vjetër është kjo gjuhë?” – pyesin të tjerët.

“Përtej të vjetrës”, – u përgjigjen.

“Si merreni vesh”?

“Për bukuri!”

Shpesh kishte menduar si ndodhi, që dy aktorë të një gjaku, të luanin në një film së bashku dhe ngjarja tejet e stërlashtë të kishte ndodhur kaq pranë vendit të tyre, në mos një pjesë në trojet e tyre, në Shpellën e Odiseut? Një rastësi, një trill i fatit, një domethënie e fshehtë? Askush nuk jepte përgjigje.

Sigurisht në mendje i vinte pyetja, si do të ishte shpella, sa e madhe, sa e thellë e për më tepër pozicioni i saj.

Dikur makina ndaloi.

Bekimin, Bardhoshi së bashkë me Preç Zogajn e kishte takuar në Prishtinë, në një veprimtari artistike, në shoqërinë edhe të aktorit tjetër Faruk Begollit. Por edhe dy vjet më parë, kur ishte në Romë, në Ministrinë e Jashme dhe më pas doli për të pirë një kafe me zonjën e ndritur, Nermin Vlora Falaschi, aty kishin parë aktorin dhe e kishin ftuar në tryezë.

– Do të shkoj në Shqipëri, se dua të shikoj Shpellën e Ciklopit! – tha Bekimi.

“Kur të vini, po ju lë numrin e celularit dhe në çdo kohë më merrni t’ju shoqëroj”.

– Dhe ja ishim pranë shpellës, tregon Bardhoshi, por hata, hyrja e saj ishte mbyllur me shufra hekuri. Ndjeva brengë, ndërsa Bekimi trishtim, por nuk foli. U suall rrotull një copë herë. Ç’të bëja?

E lashë Bekimin dhe shkova takova Kryetarin e Bashkisë.

“Jep urdhër të hiqen hekurat të hapet udha, se duam të futemi brenda në shpellë! Kur të ikim vërini përsëri.

Thërriti dikë.

“Ustai do njëzetë mijë lekë të heqë hekurat!” – tha.

I dhashë 18.000 lekë.

Erdhi ustai. Ishte nga Piluri.

“Si je?” – më pyet.

“Ja, si më shikon! Ti je bërë usta, unë jam pa para. Kaq kisha”.

“Çfarë lekë dua unë nga ty. Njëzetë vjet kam punuar nga saldator shef kulture nën hijen tënde.

“Ktheja lekët, i tha Kryetarit të Bashkisë. Ky dikur më ka marë në punë.”

Kur kishte mbaruar shkollën, nuk e mbaja mend që e paskish caktuar shef kulture. Ali quhej. I shkuli hekurat tak fak dhe na hapi rrugën për të hyrë në shpellë.

Bekimi nuk hyri menjëherë, por shikonte detin, pastaj hyrjen e shpellës dhe sikur kërkonte diçka. I tha shoferit ta fotografonte nga shpella te rruga, ku të dukej edhe deti. Si duket kërkonte të gjente se si Odiseu me shokë i ishin afruar shpellës dhe sa larg ishte ajo nga deti.

– Kam lexuar shumë mbi Odisenë, foli Bekimi, dhe me vete kam marrë një libër, titullohet “Eneida”. E kam në makinë e po ta dhuroj ta kesh kujtim.

E kam ende të pahapur dhe të mbështjellë me plasmas, ashtu si ma dhuroi.

Në darkë shkuam në Kalanë e Kaninës. I shpjegova se aty është bërë dasma e Skënderbeut dhe i tregova edhe mbishkrimin në një lapidar. Janë tre mozaikë. Trinitia i thonë. I ka zbuluar historiani Aleks Buda.

– Ç’vend i mrekullueshëm! Më duket sikur po udhëtojmë me avion. Çfarë bukurie! – shprehu habi Bekimi e shtoi, më lart shkohet?

– Është një lokal në Shashicë.

Shkuam atje. Na priti kamerieri. I thashë, ky është aktori Bekim Fehmiu. Bekimi shtoi, do na bësh një nder? Kam dy shishe me verë, që i ka prodhuar motra ime nga vreshti i saj për ditëlindjen time. Nuk duam pije tjetër. Meze do marrim çfarë të ketë lokali.

– Posi, ia ktheu djali dhe kur u larguam i dha peshqesh Bekimit dy shishe me verë Narte. Më pyeti për Nartën dhe ia shpjegova.

– Të falënderoj, i tha djalit dhe do shihemi përsëri.

Nuk i kam fotografitë që bëra me Bekimin. Më tha që do mi dërgonte, por ai iku nga kjo jetë…

Sytë e Bardhoshit u lëngëzuan, ngriti gotën e rakisë dhe pasi e trokiti me timen, ia bëri:

– Gëzuar!

Në tavolinë ra heshtja dhe kujtuam fatin tragjik të aktorit. E ndërsa po shkruaja këto rradhë televizionet japin kronika nga Shpella e Spilesë apo e Polifemit. “Monumenti i kategorisë së parë, Shpella e Spilesë, e shënuar si objekt i rëndësisë së veçantë historike, është dhunuar. Jo vetëm që e kanë prishur dhe denatyruar mjedisin hyrës të shpellës, që daton qysh nga periudha homerike, por tashmë janë në fillesë të punimeve, duke depërtuar edhe në thellësi të shpellës, si dhe ” hyrja e shpellës është betonizuar, brenda saj janë futur tubacione për ujërat e zeza, mobilie të vjetra, si kolltuqe dhe jashtë është instaluar edhe një sahat elektrik, si të ishte një pronë private”.

Sikur këtë rradhë e vranë jo vetëm historinë, por rivranë edhe aktorin e madh…

Të kesh një monument të tillë e të sillemi në këtë mënyrë, kjo të vë në mendime ogurzeza, a kemi ne respekt për veten? Ku janë ata gjithollogë, historianë, gjuhëtarë, akademikë, që flasin e shkruajnë për gjithçka dhe na kthejnë e vendosin në qendër të botës, jo thjesht si sundimtarë, por sjellësh e krijues të gjuhëve, mbretërive, perandorive që u mbyllet goja dhe nuk ulërasin për këtë mënxyrë?

Në një njoftim Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit thotë se, në shtator, Shpella e Spilesë, monument kulture i kategorisë së parë, do të pësojë ndërhyrje, që përfshijnë vendosjen e rrethimit mbrojtës, ndriçimin dekorativ dhe instalimin e paneleve informuese. Por nuk thuhet do të vazhdojë të quhet Shpella e Spilesë, e Himarës, e Odiseut apo e Ciklopit Polifen, sepse nuk është thjesht emërtim, por pohim i një vlerë të jashtëzakonshme, që e lidh me një nga ngjarjet më kryesore të librit të famshëm “Odisea” dhe çfarë tërheqje turistike do të ishte, nëse do të ishte e pranuar botërisht!

Të presim e të shpresojmë!