Agim Çiraku
Kryetar I SH.A.K.Labëria
Fshati Vajzë si pjesë e trevës së Labërisë është një hapësirë shpirti, ku kujtimet dhe përjetimet bëhen pjesë e qenies së gjithsecilit që ka lindur dhe është rritur në këtë fshat magjik, që ka vënë gurin e saj të themelit në lartësimin e LABËRISË.
Ai është fshati i barikadave, rrëzë BEUNIT historik, me malin “Tartar”, që mban të shënuar në historinë e vet ngjarjeve dhe datave historike, bij që i kanë dhënë emër e lenë vepra, jo vetëm këtij fshati, por edhe historisë së vendit.

Trinomi, “ Vajzë – Vlorë – Labëri” kanë qënë shtëpia e shenjtë e poetit dhe vatrat e zjarrit ku kanë lindur e janë gatuar poezitë e Ali Asllanit, që na kujtojnë se kombi nuk rron pa dinjitet, se Shqipëria nuk qëndron në këmbë pa liri dhe drejtësi. Fshati Vajzë është një poezi, që ruan kujtimet e brezave të kaluar, një poezi që nuk plaket kurrë.
Por Vajza nuk dha vetëm poetë ! Fshati Vajzë i Vlorës, ndihet krenar pasi ai është edhe vendlindja e “Heroit të Popullit” Perlat Rexhepit, Maliq Sadushit, Lavdosh Ahmetaj dhe qindra intelektualëve, burra të mendjes, të penës dhe pushkës, shtetarë dhe administratorë, artistë e profesionistë, poetë dhe oratorë kudo ku kanë punuar dhe jetuar , në Shqipëri dhe kudo në botë. Njerëzit largohen nga bota e të gjallëve, por veprat mbeten të gjalla, në përjetësi, burim përfaqësimi dhe frymëzimi për brezat vijues!

Mesazhit tim dhe të Shoqatës Labëria i shkojnë për shtat vargjet e poetit Ali Asllani , të mbushura me kujtime dhe ndjenja të pasura, ku çdo tingull dhe çdo fjalë është një amanet i poetit për popullin e tij, për të mos braktisur dhe harruar vëndlindjen:
…”Në krye të fshatit ka një deli krua,
ujë i tija akull derdhet në përrua…
Dhe në krahun tjetër varet nga një mal,
një përrua i rreptë me uturimë e valë…
Fshati i babagjyshit fshati më i mirë,
nga ata që thuhen Labëri e lirë…?




















