Adrola Dushi:Jam e dashuruar kokë e këmbë

707
Sigal

INTERVISTA / Flet Adrola Dushi fituese e “Miss & Mister Albania”

Ajo sa i ka mbushur të 20-at, por ndihet me këmbë në tokë. Marrja pjesë në “Miss & Mister Albania”. Ishte për të një ngjarje e bukur dhe një eksperiencë e veçantë. Por, megjithatë ajo nuk e mbivlerëson çmimin, pasi jeta është e gjatë dhe sukseset nuk e dehin. Është tepër korrekte dhe me shumë ide për jetën. Është e dashuruar dhe nuk e fsheh dashurinë e saj. Nuk trembet nga gazetarët sepse nuk ka asgjë të fshehtë në jetën private. Është e lidhur shumë me familjen, pasi tek ata sheh njerëzit më të dashur që e përkrahin me gjithë zemër.

 -Mund të na bëni një prezantim se kush është Adrola Dushi?

Ah…! Adrola Dushi është një vajzë 20 vjeçe, që e njeh jetën plot ide për të, jo ndryshe nga moshataret e saj, por që fati i madh i së cilës nisi në një ditë të zakonshme kur u pa nga produksioni i “Miss & Mister Albania”. Mbas atij momenti jeta e saj pati tjetër ritëm, tjetër dinamikë, tjetër mendim. Jeta e njeriut ndryshon edhe për një moment, këtë se vë fare në dyshim.

-Një spektakël që ju ndryshoi jetën. Por që të arrinit deri aty sigurisht duhej një mbështetje. Familja juaj prej shumë kohësh jeton në Amerikë, erdhën ato në spektakël për t’ju mbështetur?

Sigurisht që erdhën dhe ishte kjo pjesa më interesante e atij spektakli për mua. Pa familjen, mbështetjen e saj ajo mbrëmje do dukej e vakët. Pra ishin ata që më kanë  emocionuar dhe mrekulluar pafund. Dhe çasti më magjik ka qenë kur shihja tim vëlla që bërtiste dhe më jepte kuraje. Të gjithë si familje janë vetë jeta ime.  

-Çmimi u dha nga një juri profesioniste dhe shumë serioze, si do ta vlerësonit këtë fakt?

Një vlerësim maksimalisht pozitiv. Një juri e tillë kurrsesi nuk luan me normat dhe rregullat e një konkurrimi televiziv. Serioziteti i tyre tashmë është vlerësuar edhe nga publiku i gjerë.

Ç’përbën për ju “Miss & Mister Albania”?

Një eksperiencë tepër të veçantë dhe shumë të bukur.

-Cilat janë angazhimet tuaja të tanishme?

Angazhimi më i madh për momentin është arsimimi im. Shkolla është pjesa më delikate e jetës time në këto momente, për vetë faktin se do të më shërbejë në idetë e mia për jetën, planet, objektivat. Por nga ana tjetër edhe rrugën e nisur s’mund ta lë pas dore. Aspak! Në gjithë këto kohë pas konkurrimit jam marrë me sfilata brenda dhe jashtë vendit.

-Çdo njeri ka karakteristikat e veta, po ju çfarë vlerësoni më shumë në personalitetin tuaj?

Vlerësimet zakonisht i bëj edhe në bazë të atyre që thonë të tjerët mbi mua, por edhe në sajë të veprimeve konkrete që bëj vetë në jetë. Ndaj unë do të veçoj dy cilësi, çiltërsinë dhe thjeshtësinë. Nuk janë pak, në botën e sotme, që vlon nga smira dhe egoizmi i sëmurë.

-Në përgjithësi personazhet publikë nuk kanë raporte të mira me gazetarët për jetën private. Po ju?

Raportet e mia janë krejt ndryshe. Unë kam një lidhje shumë të hapur, shumë të bukur dhe nuk ruhem nga askush. Unë i frikem vetëm abuzimeve me lajmin, shtesave që u bëjnë fjalëve të mia dhe fjalive pa kuptim në disa raste që nuk i kam thënë kurrë.  N.q.s përcillet e vërteta nuk kam as frikë, as paragjykim për askënd. Jeta ka rregullat e veta që duhet ti respektojmë të gjithë.

-Si duhet të jetë mashkulli i vërtetë në sytë e tu dhe çfarë nuk toleron tek ai?

Vlerësoj meshkujt seriozë dhe mbaj distancë nga meshkujt burracakë. Gjithmonë më pëlqen idealja tek një mashkull dhe një ide e tillë më bën t’i buzëqesh vetes.

-Kjo tregon se jeni e dashuruar marrëzisht…?

E vërtetë. Nuk e mohoj, por e them me plot gojën jam e dashuruar kokë e këmbë.


-A ka ndryshuar jeta juaj pasi jeni bërë Miss?

Jo shumë, përveç një medalje me meritë. Nuk i mbivlerësoj rezultatet por i mat me kutin e kohës. Çdo gjë e marr shtruar dhe pa eufori. Gjithmonë në suksese marr pjesën më të mirë pa më dëmtuar në të ardhmen. Suksesi nuk më deh, por më bën të jem më me këmbë në tokë. Por dhe nuk dua ta nënvleftësoj çmimin. Më dha një shtysë në jetën time. Ma ka bërë jetën më të larmishme dhe ka rritur kërkesat për aktivitete të ndryshme.

-Keni vizituar shumë shtete dhe shumë qytete. Kush është qyteti më i bukur që ju ka lënë mbresa të pashlyeshme?

Janë shumë, por unë do të veçoja Las Vegas. Një qytet i artë, llamburitës, plot jetë, reklama verbuese, luks, një botë e tërë me vete. Jo më kot e kanë quajtur edhe “Qyteti i dritave”.

-Çfarë kritikon tek një njeri?
Ah, e para është hipokrizia. Shoh që, në jetën e përditshme ka shumë hipokrizi. Kjo më ka bërë që të lidhem shumë me familjen dhe të jem e kujdesshme.

-Kur ndiheni më mirë, kur ju thonë jeni e bukur apo jeni e zgjuar?
Po të zgjidhja vetëm njërën do të doja të më thoshin e zgjuar, por më mirë do të ishte të dyja duke theksuar zgjuarsinë. Por nga ana tjetër dua të theksoj se nuk shqetësohem fare nëse dikush nuk e vlerëson sa duhet fizikun tim. Por do të ishte ndryshe dhe do të reagoja nëse do të cenohej sadopak personaliteti im.