Vepror Hasani: Lamtumira për Nonda Kajno, viktima e festivalit 11-të

Kantautori Nonda Kajno, viktima e pasfestivalit të 11-të në RTSH.

Korça e serenatave, pa festival serenatash, nuk mund të mendohet.

NOA

Ndahet nga jeta serenatisti i famshëm Nonda Kajno

Nga Vepror Hasani

Pas festivalit të 11-të në RTSH, ndaj artistëve të këngës nisi “Gjuetia e shtrigave” në gjithë Shqipërinë. Ishte një situatë e frikshme. Kërkoheshin viktima. Në Korçë u thirr me urgjencë “një mbledhje e posaçme” e degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit. Dikush do ta pësonte. Mora vesh se unë do të isha në qendër të sulmeve. U frikësova. Isha tepër i ri. Jeta ime mund të merrte fund njëherë e përgjithmon që nga ai çast. Do të mbetesha thjesht “askushi”, pa asnjë ëndërr dhe pa asnjë të ardhme, ashtu siç mund të mendohet një njeri i vdekur. Atë çast gjithë jeta ime po më kalonte para syve…

Bashkëpunime të suksesshme kam patur edhe me tenorin Gjergji Suljoti dhe dy këngëtarët e reja: Xherela Ballkameni dhe Ambra Kereku, para pak kohësh realizuam edhe 2 disqe me këngët e mija më të suksesshme, njëri me titullin “Serenata për qytetin e serenatave” dhe tjetri me 20 këngë që mban titullin “Korça qyteti magjik i serenatave”.

Ëndra ime e parë

Ëndrra ime për këngën nisi kur isha në gjimnaz, në vitet 60-70. Në atë kohë nuk kishte televizione dhe radiot ishin të pakta, serenata mbetej ëndrra më e bukur e të rinjve të Korçës. Ndjeja që edhe unë mund të isha një serenatist i mirë, – më përvëlonte kjo ëndërr, – ndaj nisa të gjendesha gjithnjë aty ku këndoheshin serenata. I dëgjoja me ëndje, kënaqësia ime ishte e pafundme. Serenatistët mblidheshin në shtëpitë e njëri-tjetrit, kalonin rrugicave duke kënduar, u këndonin vajzave, ëndërronin të bëheshin këngëtarë të njohur. Pa e kuptuar as vetë, nisa të këndoja edhe unë bashkë me ta. “Je një nga zërat më të bukur të grupit!”, – më thanë. Vlerësimi i tyre më bëri me krahë. Kisha nisur të këndoja me serenatistët më të mëdhenj në moshë: me Ligoraq Qanon, Sotiraq Mitren, Dhimitër Hreshovën (Taqkë Karmenin) dhe më vonë, me vëllezërit Ilija, Pandi dhe Gjergj Peleshi, Nasi Kondili etj. (Si krijues të parë të serenatave, mesa di unë, janë: Loni Llogori, Mihal Ciko, Kristaq Antoniu, Thoma Nashi, Kol Rodhe etj).

Malli për familjen, për të dashurën, për vendlindjen i kishte shndërruar në krijues të vërtetë. Kështu po ndodhte edhe me mua: krijoja tekste, kompozoja këngë dhe këndoja. Mirëpo, tashmë po gjendesha në një çast të vështirë, autoritetet më të larta të Korçës kishin thirrur një mbledhje të posaçme; në qendër të ciklonit do të isha unë. Nuk e merrja dot me mend çfarë mund të ndodhte, thjesht ndihesha i tmerruar. Prisja në ankth, ç’drejtim do të merrte jeta ime.

Pavarësisht nga furtuna e pasfestivali të 11-të, serenata korçare jeton, atë e mbajnë gjallë vetë korçarët dhe emigrantët kudo nëpër botë. Kudo që kam shkuar, sa herë bie fjala për këngët e serenatës korçare, iu mbushën sytë me lot.

Pasioni im nuk ishte rastësi                      

Pasioni im për këngën nuk ishte rastësi, vija nga dy prindër me shpirt artisti. Nëna ime, Izmini, ishte pasardhëse e familjes së njohur Janko Prifti. Me artisten e madhe Tefta Tashko Koço, ishin në një klasë, madje në një bankë, mike të njëra-tjetrës, ëndrrat e tyre për artin dhe këngën, ishin miqësia reale e tyre. Gjithashtu nëna ime merrte mësime edhe nga Piktori i Popullit Vangjush Mio, miqësinë me vajzën e tij, Rozeta Mion e ruan edhe sot kësaj dite. Kurse babai, Xhuvi Kajno, ishte po aq tregtar sa edhe artist, gjithnjë i gatshëm t’u gjendej pranë njerëzve të artit. Financoi me një dëshirë tejet të dukshme incizimin në pllaka gramafoni me sazexhinjtë e Korçës, dhe Qerimenë, e vetmja këngëtare femër në atë kohë. Ndaj edhe tek unë kishte zënë vend pasioni për këngën. Nuk i harroj dot emocionet e kompozimit të këngës së parë, ia kushtova një vajze të bukur me emrin Dadajka. Nuk kam provuar gjë më të bukur se kompozimin e asaj kënge, edhe tekstin e kisha të bukur. Megjithatë, në kompozimet e mia të para, nuk i kushtoja rëndësi tekstit, por ndërsa e këndonim, dikush rregullonte një varg dhe dikush një tjetër, deri sa teksti i këngës bëhej po aq i bukur sa melodia. Dhe ndërsa isha duke i kujtuar të gjitha këto, dikush erdhi e më tha se “mbledhja e posaçme” më kishte vendosur në qendër të sulmeve. Nuk mbaj mend të jem ndjerë ndonjëherë tjetër më keq se atë ditë. Dhe të gjitha këto po më ndodhnin, kur unë si kantautor gjendesha në më të mirën time. Për herë të parë ndjeva keqardhje për gjithë përpjekjet e mia. Mendoja vazhdimisht që Korça të kishte një festival serenatash.

Orkestra me tri kitara elektrike     

Në mbledhjen e posaçme, me keqdashje mund të analizohej edhe krijimi i orkestrës me tri kitara elektrike; edhe kjo gjë më trembte shumë. Në vitin 1970, kur në art dhe kulture nisi të ndihej një farë liberalizmi, unë ngrita një orkestër të tillë. Fal suksesit që kisha patur deri atëherë me këngët e mia në estradat amatore të qytetit të Korçës, regjisori i Estradës profesioniste, z. Thimi Filipi më ftoi të këndoja si këngëtar në estradë. Ftesën e prita me shumë kënaqësi. Nisa të këndoja këngët e mia, suksesi ishte i madh, u pritën mirë nga të gjitha moshat. Grupi ynë u bë i famshëm, patëm sukses, jo vetëm në Korçë, por kudo që shkonim edhe në qytetë të tjera të vendit. Ishte hera e parë që në Shqipëri kishte një grup të përmasave perëndimore. Salla mbushej plot e përplot çdo natë. Altoparlantët gjëmonin. Unë kompozoja vazhdimisht këngë të reja ritmike për të rinjtë. Mendoja se kishte ardhur koha që Korça të kishte një festival serenatash, kështu vazhduam deri ditën që u thirr mbledhja e posaçme për të marrë vendim nëse duhej të shkoja në burg ose jo.

Vendimi i mbledhjes

Më në fund mbledhja e stërgjatur mbaroi. Vendimet e saj ishin shkatërruese për mua:

nuk do të ngjitesha më në skenë, do të më dërgonin në punët më të vështira, fati im ishte që i shpëtova burgut, edhe kjo mund të kishte ndodhur nëse nuk do të më kishtë dalë në mbrojtje drejtori i teatrit të Korçës, Petraq Zoto, i cili ishte edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarve dhe Artistëve për Korçën. Pas tij kishin folur regjisori i teatrit, Thimi Filipi dhe aktori i mirënjohur Stavri Shkurti. Respekt të veçantë kam edhe për Todi Lubonjën, ish-sekretar i dytë i Komitetit të Partisë së Rrethit, njeri i thjeshtë me zemër të madhe dhe vizion, kisha përshtypjen se e admironte perëndimin.

Korça, pa një festival serenate, nuk mund të kuptohet

Pavarësisht nga furtuna e pasfestivali të 11-të, serenata korçare jeton, atë e mbajnë gjallë vetë korçarët dhe emigrantët kudo nëpër botë. Kudo që kam shkuar, sa herë bie fjala për këngët e serenatës korçare, iu mbushën sytë me lot. Në Rumani, veçanërisht në Bukuresht ka një numur të madh emigrantësh nga qyteti i Korçës dhe fshatrat përreth tij, si: Drenova, Boboshtica, Dardha, Sinica, Voskopoja, Polena etj dhe nga fshatrat e Devollit: Hoçishti, Ziçishti, Progër etj. Këngët e serenatës korçare këndohen edhe në Maqedoni; kudo që ka shqiptarë. Të gjithë janë të të njëjtit mendim. Korçës i duhet një festival serenatash, Në Bukuresht është edhe një grup i quajtur “Serenada”, me tri vajza dhe një djalë; manaxhere e grupit është deputetja e Parlamentit rumun me origjinë korçare, zonja e nderuar Ohana Manolesku; grupi ka ardhur disa herë në Korçë për koncerte, aktivitetin e tij e ka përqëndruar vetëm te serenata korçare. Ndaj është për të ardhur keq që pushteti vendor në Korçë nuk i jep rëndësinë e duhur kësaj tradite të vyer që ka Korça. Përpjekje të shumta janë bërë nga ana jonë nga serenatistët korçarë, por organizimi i një festivali për serenatën korçare nuk është bërë i mundur. Pushteti vendor nuk duhet ta lërë në harresë këtë vlerë të madhe të Korçës. Është e nevojshme të fillojmë të bëjmë Festivalin e Serenatës, sepse do të jetë një gjallëri më shumë për Korçën, do vihen në lëvizje poetë, kompozitorë, këngëtarë, grupe serenatistësh adhurues të këngës dhe grupe të tjera, të cilët do të sjellin këngë të reja dhe do të ringjallin këngët e vjetra aq shumë të dashura  për korçarët. Korça e serenatave nuk mund të kuptohet pa një festival serenatash. Sot këngët e mia këndohen nga i mirnjohuri Kastriot Tusha, Rovena Dilo, Aleksandër Gjoka, Eli Fara, Mira Bregu, Grupi Ritfolk, Ermira Babali, Ermira Kola etj. Së fundmi me këngëtaren Olsa Pema dhe tekste të poetes Irma Kurti realizuam një disk me 14 këngët e mija. Bashkëpunime të suksesshme kam patur edhe me tenorin Gjergji Suljoti dhe dy këngëtarët e reja: Xherela Ballkameni dhe Ambra Kereku, para pak kohësh realizuam edhe 2 disqe me këngët e mija më të suksesshme, njëri me titullin “Serenata për qytetin e serenatave” dhe tjetri me 20 këngë që mban titullin “Korça qyteti magjik i serenatave”. Shumë nga këngët e mija, janë në programet më të mëdha botërore. Potenciali i Korçës është vërtet i madh dhe i mirëpritur nga të gjithë.