Adoleshentët ishin konfliktuar më parë, mësuesit s’punuan për evitimin e konfliktit. Neglizhencë, futja me armë në shkollë
Një krim i rëndë që është regjistruar paraditen e djeshme në shkollën në shkollën profesionale “Beqir Çela” në Shkozet të Durrësit e që ka tronditur opinionin e vendit, shënon një precedent të papranueshëm për moshën e viktimës dhe vendin ku ai ka ndodhur. Një 17-vjeçar është qëlluar me plumb kallashnikovi në kohë nga një shok i tij i maskuar, në sy të nxënësve që po kryenin orën e praktikës. Zyrtarisht konfirmohet se, viktimë e tragjedisë është 17-vjeçari Adriatik Tota nxënës në shkollën profesionale “Beqir Çela” në Shkozet, me origjinë nga Kukësi dhe banues në zonën e Sukthit, ndërsa autor (i arrestuar pas 7 orësh), është Endri Varaku, 16 vjeç, nxënës në këtë shkollë. Po në orët e vona të ditës së djeshme, është arrestuar mësuesi Thoma Llazari pasi nuk ka kallëzuar krimin. “Mësuesi e pa autorin, por nuk tregoi identitetin e tij, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë”. Ishte një krim i rëndë, që mund e duhej parandaluar. Autori i vrasjes së Adriatik Tota pranoi në polici krimin e kryer, duke thënë se “e kam qëlluar pasi 16-vjeçari më ofendonte gjithmonë”.
KRIMI I RËNDË
Krimi ka ndodhur në orën 10:00 të ditës së në Lagjen 14 të qytetit të Durrësit, përkatësisht në një klasë (kabinet) në shkollën profesionale “Beqir Çela” në Shkozet. Dëshmitë për median dhe në polici, japin versionin e vrasjes. “Autori ka hyrë në klasë i armatosur ka zbrazur armën në drejtim të bashkëmoshatarit dhe është larguar me shpejtësi. Viktima është goditur me një plumb në kokë e ka gjetur vdekjen. Policia ka gjetur rreth 100 metra larg të hedhur në një stol një xhaketë ngjyrë blu dhe armën e krimit. Ngjarja ndodhi në sytë e 19 nxënësve që zhvillonin orën e praktikës, ku 7 prej tyre ishin të vitit të parë, e të tjerët të vitit të dytë”,- pohojnë burimet. Kronologjia e pas ngjarjes është: Policia administron ngjarjen e vihet në kërkim të të dyshuarit. I dyshuari është vënë në përgjim telefonik, ku në kapjen e tij, kanë ndihmuar dhe familjarët. Në orën 10:10, ministri Saimir Tahiri shkon në shkollë. Shkon gjithashtu dhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolli. Në shkollë shkojnë dhe deputetë. Në orën 11:15 prononcohet Edi Rama që shpreh keqardhjen e kërkon kapjen e autorit. Në orën 13:30 identifikohet dhe lokalizohet autori. Në orën 16:40, pas 7 orësh, policia arreston autorin. Në orët e vona të mbrëmjes, ndalohet dhe mësuesi.
PËRGJEGJËSITË
Familjarë të viktimës, opozita, faktorë të tjerë të komunitetit e qytetarë të thjeshtë e evidentojnë ngjarjen si shkak të pasigurisë së jetës në shkolla. Nga hetimet e para del se autori e viktima që dit më parë ishin konfliktuar me njëri-tjetrin, duke arritur dhe në sharje nga motra. Por konflikti, ndodhur në sy të të tjerëve, nuk është vlerësuar, në mënyrë që të ndërhyhej për shuarjen e tij. Ka munguar kontrolli, aq sa një kallash, ndonëse i modifikuar, është futur në shkollë e nuk është parë as nga roja dhe as nga të tjerët! Premtimi i krerëve të Policisë së Shtetit për siguri në shkolla, mbetet fjalë në letër. Janë shumë shkelje, neglizhenca zinxhir, që nga Tirana e deri tek mësuesi kujdestar në Shkozet, që sollën deri në kryerjen e një krimi makabër në klasë. Është një ngjarje e rëndë që kërkon përgjegjës konkret, nuk mund të kalohet pasi është një precedent, ndoshta i pari në 23 vite të demokracisë!
ALEANCA KUQ E ZI
“Shprehim indinjatën për ngjarjen. Prezenca e politikanëve të PD-së dhe PS-së në vendngjarje është një veprim i shëmtuar dhe keqpërdorim i kësaj ngjarjeje. Deputetët e PS-së dhe PD-së veçse shtyjnë dhimbjen e familjarëve me prezencën e tyre dhe nuk kryejnë dot asnjë ngushëllim veç mbledhjes së gëzhojave. Vajtjet dhe vajtimet teatrale janë një humor i zi me dhimbjen e shqiptarëve”
CHILDREN’S HUMAN RIGHTS
“Politikanët të japin llogari për vrasjen e fëmijëve! Në vitin 2012 CRCA Shqipëri i kërkoi Ministrisë së Arsimit publikisht që në Ligjin për Sistemin Arsimor Para universitar të krijonte një kapitull të veçantë për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe marrjen e masave disiplinore për personat që ushtojnë dhunë në shkollë. Kërkojmë miratimin me procedura të përshpejtuara në Kuvend të Projektligjit për “Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna”
MAJLINDA KETA
“Turp për politikën që ndërhyn dhe përdor vrasjen e një fëmije, nga një fëmijë, në bankat e shkollës… Ata që lanë pushtet apo ato që morën të japin llogari për pseudo- policimin në komunitet, ku shkollat e sigurta dhe edukimi për zgjidhje konfliktesh nuk funksionuan pasi ka vite që janë hedhur në erë. Ata, politikanët e dy krahëve, duhet të japin vetëm llogari në komunitet për nënën që ju hodh jeta në erë. 101 vite mbrapa kthehemi, kur ngjyrosim politikisht shkollat”
PARTIA DEMOKRATIKE
“Sot është një ditë e tmerrshme për një familje durrsake…. Por është një ditë e keqe mes shumë ditëve të këqija që po përjetojnë qytetarët e Shqipërisë, në dështimin total të kësaj qeverie për të luftuar krimin, në sinjalet tepër negative që militantizmi në krye të Policisë së Shtetit dhe keqpërdorimi i Policisë së Shtetit, jashtë mandatit të saj ligjor po i jep jo vetëm krimit ordiner, por edhe krimit të organizuar”
REAGIM I PBDNJ
“PBDNJ i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Tota… Jemi sa të prekur aq edhe të shokuar për këtë ngjarje tepër të rëndë që për mënyrën, vendin, rrethanat, ngarkon me përgjegjësi të rëndë shoqërinë e institucionet e saj. Ajo duhet të shoqërohet jo vetëm me zbulimin por edhe me kurimin e shkaqeve shoqëruar me marrjen e masave urgjente për rritjen e garantimin e sigurisë në shkolla e ndëshkimin e mbajtjes së armëve pa leje…”
LINDITA NIKOLLA
“Janë dy nëna të tronditura sot pasi është një i ri që është vrarë dhe është po një i ri që është kthyer në kriminel. Është tronditje e thellë që kërkon angazhime të posaçme. Situata që ne gjetëm ishte e vështirë, por ne jemi të gjithë bashkë dhe jemi të qartë për programet e ndërhyrjes që duan kohën e tyre. Ky rast tregon se sa shumë e rëndësishme është që të krijojmë në frontin e edukimit partneritetin mësues-prindër dhe nxënës”
Engjëll MUSAI/ Është në nderin tuaj të jepni dorëheqjen zoti Tahiri
Plumbi që goditi dje paradite gjimnazistin, njëkohësisht i preu fjalën në grykë të gjithë baballarëve, ndërkohë që, nënave, në vend të fjalëve u dilnin vetëm rënkime. Dhe të gjitha motrat mbështetën kokën në supet e vëllezërve të tyre dhe duke i mbuluar me lot, thanë: O zot, i madh, çfarë kemi bërë ne shqiptarët që po na dënon kështu? Sepse prej lajmeve të tilla, mund të pëlcasë edhe zemra prej çeliku, e jo më ndjeshmëria njerëzore. Dje, në qytetin e Durrësit në ambientet e arsimit dhe në vendin e dijes, urtësisë dhe mençurisë është vrarë nga plumbat e kallashnikovit një nxënës, prindërit, e të cilit e kishin nisur në shkollë për ta bërë një specialist dhe profesionist të zotin. Por ëndrra e tij u ndërpre nga një veprim i pafalshëm dhe kriminal i bashkëmoshatarit të vet. Dhe kjo ngjarje nuk ka asnjë dyshim që mbetet më e rënda në historinë e arsimit shqiptar, pasi u vra një fëmijë, problemet e moshës, së të cilëve mund dhe duhet të ishin parandaluar në kohën e duhur. Kishim dëgjuar që janë helmuar mësues të periudhës së Rilindjes, të vriteshin mësues menjëherë pas çlirimit apo edhe në kohën e tranzicionit, por ky rast është dhe do të mbetet më i pazakontë dhe më skandalozi. Madje, kur mendon që këto ngjarje nuk ndodhën as edhe në vitet e vështira të 1997-s, por ndodhin pikërisht tani, kur Bashkimi Europian i ka vënë si kriter qeverisë shqiptare, forcimin e rendit dhe luftën kundër krimit kjo të tmerron edhe më shumë. Po si mund të quhesh i suksesshëm në luftën kundër krimit kur një i mitur me “Kallashnikov” ,hynë në shkollë i armatosur dhe roja që paguhet për këtë qëllim si dhe punonjësit e policisë që mbikëqyrin zonën nuk janë në vendin e duhur për të kryer pikërisht misionin që i jep ligji dhe që është parandalimi i ngjarjeve të jashtëzakonshme dhe krimi kundër njeriut. E pra, shteti përsëri dështoi. Dhe ku? Në zëmrën e Shqipërisë, 30 km larg nga zyra e ngrohtë e ministres së Arsimit Nikolli apo kolltuku i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Kur mendon se ngjarjet nga më tronditëse po pasojnë njëra- tjetrën sikurse është qëndrimi i turpshëm ndaj Lazaratit, tonelata të tëra me drogë që kapen brenda dhe jashtë vendit, përgjakjet e rrugëve kombëtare, arratisjet spektakolare nga burgjet,vrasjet e shumta në çdo cep të vendit, grabitjet e pronës dhe banesave, vdekjet tronditëse nga minierat e mbyllura dhe me roje etj.. etj., tregojnë se performanca dhe flokët me xhel nuk mund të mbulojnë dhe të fshehin plagët e mavijosura që kanë mbërthyer Policinë e Shtetit dhe të gjitha këto nga emërimet nepotike dhe familjare të ministrit Tahiri. Çfarë duhet të ndodhë më tepër se sa ngjarja e sotme që ministri të japë dorëheqjen pasi vetë kishte deklaruar kohë më parë se policia do të marrë nën ruajtje sigurinë e shkollave? Është në nderin e tij ta bëjë një sahat dhe më parë dorëheqjen, pasi të tjera ngjarje do ta pasojnë. Kjo jo për dëshirë dhe profeci, por për vetë faktin se krimi ka ndërruar ortakë dhe ata që deri dje bashkëpunonin me një pjesë të trafikantëve dhe kriminelëve kanë ikur dhe të tjerë drejtues të punësuar dhe dënuar për trafiqe droge janë punësuar në administratën e re. A ka fakte? Më i freskëti është shou me lojërat e fatit, ku të gjitha janë hapur madje, janë futur edhe qindra makineta të reja.
Saimir Tahiri, përgjegjës për prishjen e vendit të ngjarjes
Dje pamë çiftin Tahiri –Nikolli që vajtën serbes në vendngjarje duke kapërcyer shiritat e policisë të vendosura në vendin, ku ndodhi tragjedia. Sikur të mos mjaftonte kjo u futën edhe brenda, ku u qëllua me kallashnikovë. Po kujt i morën leje këta dy zotërinj dhe ku e gjejnë kurajon të nëpërkëmbin ligjin I cili sipas Kodit të Procedurës Penale ja jep të drejtën Prokurorit të përcaktojë grupin mbikëqyrës që do merret me ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kufomës. Po Ju mor zotërinj ministra, ku ju çon mushka që vini e kapërceni serbes shiritat e policisë a thua se po futeni në ndonjë PUB apo lokal nate. Nëse në një nga vendet e BE-së ministrat e saj do të bënin këtë veprim të shëmtuar që bëtë ju dje do të ndaloheshin dhe do të merreshin në përgjegjësi penale. Është koha që të shpëtoni rendin dhe sigurinë duke dhënë dorëheqjen tuaj zoti Tahiri, në të kundërt do i bëni një dëm shumë të madh kauzës së Rilindjes dhe do t’i bëni një shërbim të jashtëzakonshëm Berishës dhe të djathtës ekstreme që populli i nxori nga dera dhe dritarja njëkohësisht në 23 Qershor.