Vrasja e Elton Çiçës në lokal, zbardhet dëshmia e doktorit të arrestuar

430
Arrest me burg i caktoi masën e sigurisë gjykata e Tiranës, dentistit Redjan Rraja, i akuzuar për fshehjen e pistoletës së viktimës Elton Çiça, i cili u ekzekutua me dy plumba në një lokal në zonën e ish-bllokut. Me kërkesë të prokurorisë, gjyqtari Asim Vokshi e vleftësoi të ligjshëm arrestin në flagrancë të dentistit Rraja dhe caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Para gjyqtarit, Rraja mohoi akuzën duke shpjeguar se ishte shok me viktimën dhe për shkak të profesionit i ka dhënë ndihmën mjekësore duke lëvizur edhe nga lokali. Sa i përket pistoletës së pretenduar, ai ka mohuar të ketë marrë ndonjë pistoletë nga çanta e viktimës, duke kërkuar lirimin nga burgu. 

 Këtë pretendim e kundërshtoi prokurori, i cili tha se nga pamjet e kamerave të sigurisë, duket që i dyshuari Rraja ka marr diçka nga çanta e viktimës e që dyshojmë se ka qenë pistoleta që ai mbante me vete. Por jo vetëm ky veprim, për prokurorin është i paligjshëm. Ai tha se edhe lëvizja e viktimës nga vendi i ngjarjes ka ndikuar në prishjen e provave. Pretendim ky që u kundërshtua nga i dyshuari, duke thënë: “Elton Çiçëm e lëvizëm për t’i dhënë ndihmën e parë pasi ishte ende gjallë”. Avokati ka cituar komunikatën e policisë, duke thënë se edhe policia ka njoftuar se viktima ka ndërruar jetë rrugës për në Spital.
Sigal