“Vrasja” e dyfishtë në Korçë, policia: Kallëzim i rremë

411
Një vrasje e dyfishtë u raportua se kishte ndodhur ditën e djeshme në Korçë. Bëhej fjalë për një person që telefonoi në Polici duke thënë se dy persona ishin vrarë në fshatin Xerje të Korçës. Policia shkoi në vendngjarje dhe nuk gjeti asnjë gjurmë të krimit të raportuar. Po kështu, personi që ka telefonuar për ngjarjen fiku pas kësaj celularin.
Në një sqarim të ditës së sotme, Policia thotë se ka qenë një kallëzim i rremë dhe se po merren masa për procedimin e kallëzuesit. Gjithashtu Policia flet për një tjetër ngjarje ku një person u raportua i vrarë ditën e sotme në Korçë. Edhe ky është shëndosh e mirë dhe banon në Tiranë.
NJOFTIMI I POLICISE
Informacion sqarues në lidhje me një njoftim të rremë dhënë tek organet e Rendit, i cili supozonte një ngjarje të rëndë kriminale në fshatin Xerje, ku nga verifikimet policore të kryera, rezultoi i pavërtetë.
Në datën 31.08.2016, rreth orës 15:20, një shtetas anonim, ka telefonuar tek nr 129 në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, duke thënë se, pranë fshatit Xerje, Njësia Administrative Lekas- Korçë, janë vrarë me armë zjarri, dy persona si edhe janë plagosur disa të tjerë.
Menjëherë nga ana e strukturave të DVP-Korçë, janë bërë verifikimet dhe kontrollet e nevojshme, nga të cilat rezultoi se kjo telefonatë ishte e rremë dhe se nuk kishte asnjë ngjarje kriminale, me persona të vrarë apo të plagosur, në të gjithë territorin e pretenduar.
Gjithashtu duke iu referuar disa njoftimeve të publikuara në media dhe rrjete sociale, të cilat flasin për një shtetas të vrarë, nga fshati Tudas, sqarojmë opinionin publik se ato janë të pavërteta, pasi Policia e Korçës ka kontaktuar me këtë shtetas dhe nga verifikimet e kryera, rezulton të jetë shtetasi A. Ll, 45 vjeç, lindur në fshatin Tudas- Korçë dhe me banim aktual në Tiranë.
Në lidhje me vërtetësinë e telefonatës, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, janë kryer gjithë veprimet e nevojshme proceduriale dhe materialet do ti referohen Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale: “Njoftimi i rremë në organet e rendit” parashikuar tek neni 272 i Kodit Penal, për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të autorit.
Sigal