VIDEO/ 19 persona të arrestuar, 324 shqiptarë të kthyer, Policia e Rinasit nxjerr të dhënat

664
Sigal

Policia Kufitare e Rinasit, ka intensifikuar punën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë si dhe për përmirësimin çdo ditë e më shumë të shërbimit që ofron për qytetarët. Në kuadër të forcimit të masave të sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale, për sezonin turistik në aeroportin e Rinasit, në ndihmë të Policisë Kufitare është duke kryer shërbim edhe FNSH-ja.

Gjatë javës që kaloi nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas janë evidentuar 20 vepra penale, në fushën e “Falsifikimit të Pasaportave apo Letërnjoftimeve”, “Kalimit të paligjshëm të kufirit”, si dhe “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”. Janë kapur gjithsej 19 persona në kërkim, për llogari të Drejtorive dhe Komisariateve Vendore. Në kuadër të bashkëpunimit me vendet e BE-së për parandalimin e azilkërkimit, gjatë javës që lamë pas janë përpunuar në kategorinë “deportiv”, 324 shtetas të kthyer nga vendet e BE-së, të cilëve iu është refuzuar kërkesa për azil politik, apo janë kapur pa dokumente qëndrimi. Janë refuzuar në dalje nga Republika e Shqipërisë 62 shtetas, pasi nuk plotësonin kushtet për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Gjithashtu iu është refuzuar hyrja 10 shtetasve të huaj, që dyshohet se udhëtonin me dokumente të falsifikuara. Janë proceduar penalisht për kalim të paligjshëm të kufirit 11 shtetas, të cilët kanë kaluar kufirin jeshil në mënyrë të paligjshme nga pika të ndryshme të kalimit kufitar dhe janë kthyer “deportiv” nga policitë homologe. Policia Kufitare e Rinasit ka marrë një sërë masash për përmirësimin e cilësisë së shërimit, duke eliminuar në maksimum vonesat qoftë në përpunimin e dokumentacionit, ashtu edhe të kontrollit fizik dhe të bagazheve. Në këtë kuadër Policia Kufitare e Rinasit fton cilindo që konstaton abuzime të punonjësve të policisë me detyrën, që t’i denoncojë ato në numrin e gjelbër 0800 90 90 dhe 112, duke u garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm.