Tritol në burgun e Drenovës, evitohet një tragjedi dhe arratisje e mundshme

494
Sigal

KORÇË/Mister, futja e lëndës plasëse. Dyshohet një tentativë arratisje me shpërthim. Shkarkohen 3 gardianë

 Policia ka konfirmuar paraprakisht se parandalohet një shpërthim me tritol në ambientet e burgut të Sigurisë së Lartë në Drenovë të Korçës, ndërkohë, dyshohet që zbulimi në kohë i lëndës plasëse (armatosur me ndezës e fitil), ka mundur të parandaloj një tragjedi me përmasa të paparashikuara, shoqëruar me një arratisje të mundshme të të dënuarve në këtë kamp riedukimi. Nisur nga komunikata e parë e policisë që hedh dyshimin e qenies së tritolit që në kohën e  arratisjes së bujshme, lindin disa pikëpyetje në favor të së kundërtës. Nëse është kështu, si ka mundësi që tritoli të mos zbulohet kaq kohë, ndërkohë që mjediset e burgut, brezi i butë dhe brezi i gjelbër kontrollohen vazhdimisht? Po ashtu, mister mbetet dhe shkarkimi i menjëhershëm i tre punonjësve të burgut…

NGJARJA

Policia e Korçës raportoi se, ‘eksplozivi është gjetur mbrëmjen e të hënës, rreth orës 22:00, gjatë një kontrolli nga grupi i gatshëm’. Sipas të njëjta burimeve, një kallëp tritoli rreth 250 gr është zbuluar në dhomën ku hyjnë familjarët, përkatësisht në brezin jeshil të rrethimit të këtij institucioni dënimi. Lajmi konfirmohet edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, sipas të cilëve bëhet fjalë për kallëp me rreth 250 gramë eksploziv. Sapo është marrë njoftimi se është gjendur një pako me tritol në burgun e sigurisë së lartë të Drenovës, janë shkarkuar nga detyra tre punonjës. Në këto kushte, për momentin, nuk dihet se si është futur lënda eksplozive në burg. Mësohet se, sasia e tritolit ishte bërë gati për të hedhur në erë derën kryesore, të zyrës së informacionit, e ka formën e një tuneli që kalon poshtë murit rrethues dhe bën lidhjen e regjimit të jashtëm, me regjimin e brendshëm, ku ndodhen edhe të dënuarit apo të paraburgosurit. Mësohet se, tritoli ishte montuar me fitil dhe magnet, gati për të shpërthyer. Po sipas këtyre burimeve, tritoli ka qenë i vendosur në dyert rrethuese që janë prej metali të ambientit të jashtëm, në afërsi të pjesës ku është prerë rrethimi atë natë.
HETIMET

Sipas burime zyrtare të burgut të Drenovës, një nga pistat e hetimit lidhet me planin e arratisje së 23 nëntorit 2013, ku 7 të dënuar arritën të arratiseshin nga ambientet e tij. Lënda eksplozive dyshohet se është vendosur gjatë planit të arratisjes së të dënuarve. Katër prej tyre kishin dënim me burgim të përjetshëm, ndërsa tre të tjerët me dënime maksimale deri në 15 vjet burgim. Burimet nga brenda burgut thonë se një prej punonjësve të sigurisë dyshohet se e ka hedhur lëndën plasëse atë natë rreth 20 metra për të shmangur shpërthimi. Zbulimi është bërë nga një kontroll rutinë. Edhe pse u gjet nga 2 efektivë të grupeve të gatshme të burgut, lënda eksplozive ishte shkaku i shkarkimit të tre punonjësve të tjerë, të cilët kishin për detyrë mbrojtjen e regjimit të gjelbër të burgut. Vendi ku u gjet eksplozivi, është edhe dera nga e cila dolën prej regjimit të brendshëm, 7 të dënuarit e burgut të Drenovës, që të drejtuar nga Admir Tafili dhe Fran Marasshi, mundën të arratiseshin për disa derisa u kapën nga policia shqiptare dhe greke. Madje vendi nga ku dyshohet të jetë hedhur, është pikërisht zona ku u vendosën dy mitraloza të rëndë të cilët hapën zjarr drejt burgut dhe mbajtën nën presion rojet derisa të dilnin dhe arratiseshin të dënuarit… Në janar u gjetën dy sharra që do të përdoreshin për të prerë hekurat në një skenar tjetër arratisje…