Tiranë, arrestohet për korrupsion prokurori Haxhi Giu

484
Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë lejen e gjykatës për të urdhëruar arrestimin e shtetasit Haxhi Giu, me funksion “Prokuror” pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, i dyshuar për konsumimin e veprës penale “Korrupsioni pasiv….i prokurorit…”. Vendimi i Gjykatës për Krime të Rënda është ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit. Në bazë të hetimit të deritanishëm, rezulton se prokurori Haxhi Giu, ka marrë përsipër që, në këmbim të një shume parash (euro), të zbusë akuzën për shtetasin Paulin Shpori, i arrestuar dhe i akuzuar për “trafik lëndësh narkotike” në vitin 2014, së bashku me disa persona të tjerë. Shuma e saktë që i është premtuar prokurorit do të jetë objekt i hetimit të mëtejshëm. Ndërkohë që çështja kundër Paulin Shpori dhe të tjerëve po zhvillohej në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, vëllai i të akuzuarit, shtetasi Aleks Shpori, në muajin Shtator 2015, është vënë në kontakt me prokurorin e çështjes, Haxhi Giu dhe i kërkon që, në këmbim të një shume parash, të ndihmonte Paulinin të dilte nga burgu. Nga hetimi rezulton se prokurori Haxhi Giu ia ka bërë të qartë shtetasit Aleks Shpori se pozita proceduriale e të vëllait të tij është e vështirë dhe nuk mund ta ndihmojë. Pas këmbënguljes së shtetasit Aleks, prokurori i cakton një takim në Tiranë, fillimisht në një lokal dhe më pas së bashku shkojnë në një pikë këmbimi valutor. Sipas hetimit, në këtë pikë këmbimi valutor, shtetasi Aleks depoziton një shumë parash, si “garanci” për shërbimin antiligjor që do t’i kryente prokurori.
Pas këtij takimi, Prokurori Haxhi Giu vihet në lëvizje për të plotësuar kërkesën korruptive të shtetasit Shpori. Prokurori Giu dërgon një informacion në Prokurorinë e Përgjithshme, sipas të cilit, nga shqyrtimi i elementëve të dosjes hetimore, duhet zbutur pozita procedurale e shtetasit Paulin Shpori, nga i akuzuar për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike”, në veprën penale të “moskallëzimit të krimit”. Kjo kërkesë e prokurorit Giu nuk u pranua nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila, pasi shqyrtoi kërkesën e prokurorit dhe materialin hetimor të dosjes, konkludoi se shtetasi Paulin Shpori duhej akuzuar deri në përfundim të gjykimit për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike”, pra, me të njëjtën akuzë për të cilën po gjykohej deri në atë moment. Në këto kushte, prokurori Giu vijon procesin gjyqësor dhe në përfundim, shtetasi Paulin Shpori dënohet me 8 vite burgim për veprën e “trafikut të lëndëve narkotike”.
Pas dhënies së vendimit, prokurori i çështjes takohet sërish me shtetasin Aleks Shpori në të njëjtën pikë këmbimi valutor në Tiranë, ku i bën të ditur se, pavarësisht tentativave konkrete, nuk mund të bënte asgjë për të ndihmuar Paulinin. Ndërkohë, shtetasi Aleks Shpori ka tërhequr nga pika e këmbimit valutor shumën që kishte lënë “garanci” dhe është larguar pa e kryer “pagesën” ndaj prokurorit, për shkak se nuk u arrit të zbutej akuza për vëllanë e tij. Në vijim të hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Haxhi Giu, me funksion “prokuror”, kërkesë e cila u pranua nga Gjykata për Krime të Rënda.
Po me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” edhe për shtetasin Aleks Shpori, i akuzuar për veprën penale të “korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit…”. Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar shumim prej 29.000 euro, që Shpori do ia jepte prokurorit, DVD me pamje filmike të marra nga ambiente të ndryshme (lokale, exchange), ku janë zhvilluar takimet dhe shkëmbimi i parave ndërmjet shtetasve Haxhi Giu dhe Aleks Shpori.
Sigal