Skrapar, vazhdon zjarri në Fabrikën e Këpucëve, zjarrfikësit luftojnë prej më shumë se 4 orë me flakët

50

Vijon ende zjarri në Fabrikën e Këpucëve në Skrapar, ndërsa zjarrëfikësit luftojnë prej më shumë se 4-orësh me flakët.

Fabrika shkrumbohet tërësisht,nuk ka asnjë të lënduar. I gjithë qyteti gjendet i mbuluar nga tymi dhe era e keqe.

Zjarri i fuqishëm që ra pasditen e sotme në Fabrikën e Këpucëve  në Skrapar vijon ende të jetë i ndezur. Prej rreth 4-orësh forcat e shërbimeve zjarrëfikëse të Skraparit dhe të Beratit janë duke luftuar me flakët, por ende nuk kanë mundur ta vënë nën kontrroll e të lokalizojnë flakët e zjarrit.

E gjithë Fabrika e Këpucëve,e vetmja fasoneri që operon prej rreth 5-vjetësh në qytetin e Skraparit dhe ku janë të punësuar rreth 250 gra e burra, është shkrumbuar totalisht.

Dëmi i shkaktuar në fabrikë është kolosal, pasi mesditën e sotme raportohet që në magazinat e fabrikës ishte shkarkuar ngarkesa e lëndës së parë prodhuese të këpucëve.

Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz dhe nga zjarri nuk janë rrezikuar as banesa të tjera përreth dhe as Nënstacioni Elektrik i qytetit, që ndodhej rreth 500 metër prapa fabrikës.

Pas rënies së zjarrit në të gjithë qytetin e Skraparit është shkëputur energjia elektrike,për të shmangur ndonjë incident tjetër të mundshëm.

Në momentin e rënies së zjarrit në fabrikë nuk ka pasur asnjë punonjës pasi puna në këtë fasoneri mbyllej çdo ditë në orën 17:00. I vetmi në fabrikë në momentin e rënies së zjarrit ka qenë roja, i cili është tmerruar kur ka parë flakët dhe ka njoftuar menjëherë zjarrëfikësit.

Shërbimi i Zjarrëfikëseve të Skraparit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje por,pasi flakët kanë marrë përmasa të mëdha janë njoftuar për ndihmë Shërbimet Zjarrëfikëse të qytetit të Beratit. Ende zjarri vijon të jetë aktiv,ndërkohë që i gjithë qyteti i Skraparit është mbuluar prej orësh nga tymi dhe era e keqe. Shefi i Repartit të Zjarrëfikësve në Skrapar,Vasfi Osmani,ka shpjeguar edhe aksionin e zjarrëfikësve që nga momenti i rënies së zjarrit.