Skandal në Shqipëri: AMP çon në Prokurori Operacionalen, zbulohet linjë e paautorizuar interneti, dyshime për rrjedhje të dhënash

Agjencia e Mbikqyrjes Policore në Shqipëri thënë ndryshe AMP ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës, Forcën e Posaçme Operacionale. Kallëzimi është kryer pas zbulimit në këtë strukturë të një pajisje që ofronte një linjë e paautorizuar interneti, mbi të cilën ngrihen dyshime për rrjedhje të dhënash. Sipas gazetares Klodiana Lala kallëzimi është bërë në korrik dhe hetimet po drejtohen nga prokurori Dritan Nushi. Përdorimi i një linje të paautorizuar interneti ngre dyshime të forta se mund të jetë përdorur për transferim të dhënash. Ky dyshim ka ardhur dhe pas konsultimeve me njohës të mirë të specialistëve të IT-së. Po ashtu ka dyshime se kjo linjë mund të jetë përdorur dhe për hakerim. Kallëzimi i AMP është bërë më përpara se ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri të arrestohej. Në momentin që është bërë ky kallëzim AMP ka dorëzuar edhe pajisjen që është përdorur për këtë internet të paautorizuar. Linja e internetit dyshohet se ka qenë e instaluar në godinën qendrore të forcave operacionale prej më shumë se 1 viti. Nuk dihet nëse ky kallëzim do të rëndoj apo jo akuzën për Bistrin, i cili në dosjet e SPAK u shfaq duke bashkëpunuar me personazhe të botës së krimit dhe biznesmenin Pëllumb Gjoka, ky i fundit i arrestuar si porositës i disa vrasjeve. Hetimi është mbajtur top sekret dhe prokuroria nuk bëri komente në lidhje me rastin, ndërsa nuk dihen ende se cilët janë zyrtarët e kallëzuar.

NOA