Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gramsh. Dhjetëra fëmijë të një kopshti shtetëror në Gramsh dyshohet se janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar. Ngjarja ka ndodhur në fillim të kësaj jave, kur fëmijët u paraqitën në spital me simptoma, si të vjella dhe temperaturë ndërsa është përpjekur të mbahej e fshehtë.
4 fëmijë të paraqitur në spitalin rajonal kanë rezultuar me shenja të rënda të helmimit të konsumimit të ushqimit me salmonelë. Dyshohet se ka ardhur nga ushqimi që kanë konsumuar në kopshtin shtetëror. Pas analizave të kryera, ka rezultuar që ushqimi ka pasur prani të salmonelës.
Kopshti nr 1, i cili ofron shërbim për drekë për fëmijët, është shtetëror, ndërkohë, grupet e hetimit janë vënë në dispozicion teksa kanë marrë gjithsej 72 mostra për analiza. Këto mostra përfshijnë fëmijët e kopshtit, çerdhes, si dhe punonjësit e institucioneve përkatëse.
Nga këto mostra, 12 raste dyshohet të jenë të infektuara, ndërsa përgjigjet e analizave priten të dalin nesër.