Shpërthimi i fuqishëm në Sarandë, identifikohet viktima

25
Sigal

Armandi Nelaj 52-vjeç nga Saranda është personi, i cili humbi jetën një ditë më parë nga një shpërthim i fuqishëm në Portin e Sarandës.

Mësohet se Nelaj është biznesmen prej 13 vitesh dhe zotëron një kompani të mjeteve të rënda të ndërtimit. Policia e Sarandës po heton intensivisht për ngjarjen, teksa është ngritur një grup hetimor i drejtuar nga Prokuroria e Sarandës.

Hetimet janë shtrirë në disa drejtime, përfshirë edhe ato me prapavijë kriminale.

Mësohet se shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga eksploziv. Palombarët kanë gjetur sot në thellësinë e detit pranë vendit të ngjarjes copa metalike që dyshohet se i përkasin mjetit lundrues në të cilin dyshohet se ndodhej viktima, megjithatë nuk është arritur të saktësohet se për çfarë mjeti bëhet fjalë.

Dyshimet lidhur me faktin që viktima ndodhej në një mjet tepër të vogël e ndoshta artizanal lundrues pranë Portit Detar dhe se shpërthimi ka ndodhur mbi sipërfaqen e ujit, por edhe forca e saj, i kanë bërë ekspertët të dyshojnë se realisht ka pasur një shpërthim eksplozivi. Nuk dihet cili ka qenë objektivi, por ngjarja ka ndodhur pikërisht në orën 22:00 kur gjithë vëmendja ka qenë në ndeshjen Shqipëri – Spanjë.