Shkoi për ndihmë, por vdiq në zyrën e kryebashkiakes, familjarët: U habitëm. Bashkia Lushnje: 48-vjeçarja kërkoi mbështetje për babanë

107
Sigal

Shpresa Cani nga fshati Fiershegan në Lushnjë ka ndërruar jetë dje në ambientet e bashkisë Lushnjë.  Cani ka shkuar në zyrat e bashkisë për të pyetur përse i është hequr ndihma ekonomike.

Për vdekjen e 48-vjeçares, Shpresa Cani në ambientet e bashkisë së Lushnjes, ka reaguar kjo e fundit në një komunikatë për mediat.

Sipas kësaj komunikate thuhet se nuk ka pasur asnjë debat mes 48-vjeçares dhe punonjësve të bashkisë, ndërsa deklarojnë se pasi është pritur në zyrën e kryetares, është arritur një dakordësi për t’i ofruar ndihmë, por papritur ajo është ndjerë keq dhe më pas ka humbur jetën.

Pak minuta më vonë Kryetarja e Bashkisë priti në zyrë të interesuarën e cila ishte e përfshirë që nga viti 2007 në kategorinë PAK si Invalidë e plotë nga KMCAP me diagnozë Drepanocitoze Hemozigote (sëmundje gjaku), me pagese mujore 11 915 lekë.
Shtetesja Shpresa Cani deklaroi që jetonte vetëm me babain dhe kërkoi nga Bashkia që përvec trajtimit me KEMP nga KMCAP, të gjendej një mundësi për ndihme shtesë për të dhe babain e saj edhe nga ky institucion.

Pasi degjoi shqetësimin e Zonjës Cani, Kryebashkiakja Sefa therriti Drejtoreshën e Shërbimit Social pranë bashkisë Lushnje për të parë mundësinë e ndihmës shtesë nga buxheti bashkiak, përveç pagesës se invaliditetit.
Pati një dakortësi që në janar të shihej mundësia për ta futur në skemat e ndihmës nga buxheti bashkiak, mirëpo në një moment Zonja Cani është ndjerë keq.

Menjëherë është njoftuar ambulanca dhe shefi i Komisariatit Lushnjë, z.Edvin Ndreu.
Ambulanca mbërriti brenda pak minutash në ambientet e Bashkisë duke transportuar pacienten drejt Spitalit dhe pak çaste më vonë mbërritën edhe efektivet e komisariatit Lushnjë.”, njofton bashkia.

Por çfarë thonë familjarët? 

Familjarët e Shpresa Canit, shprehen të tronditur nga ngjarja. Duke folur për gazetarët, tezet e hallat e saj pohojnë se mbesa kishte shkuar për të bërë letrat e Kemp-it  sepse vuante nga drepanocitoza, një sëmundje gjaku, por jo e rëndë.

“Erdha mbrëmë tek shtëpia këtu, më thanë Shpresës i ka rënë infarkt. Po si i ka rënë, tezja nuk di gjë. Në Bashki kishte vajtur për të bërë letrat (për ndihmë ekonomike). Atje kishte rënë te dera”, rrëfeu tezja e 48-vjeçares.

“U nis me këmbët e veta dhe erdhi me arkivol. Te bashkia kishte vajtur për të bërë letrat e Kempit. Atje ra, mbaroi”.

“Ishte anemike, ishte e sëmurë prej vitesh. Merrte gjak prej vitesh”, rrëfen më tej tezja e saj.

“Iku, bëri punët këtu, lau, shpëlau. Kur thanë iku vdiq atje, ne u habitëm. Vdekje e papritur”.

Familjarët tregojnë se ajo kishte shkuar vetëm tek bashkia. 48-vjeçarja mësohet se jetonte me vëllain, kunatën dhe babain e saj, i cili është invalid.

Në dijeninë e familjarëve, 48-vjeçarja ka ndërruar jetë si pasojë e infarktit. Megjithatë pritet të dalë ekspertiza mjeko-ligjore.

Shpresa Cani u varros këtë të enjte në orën 11:00, në varrezat e fshatit Thanë. Ngjarja në fjalë mësohet se ndodhi një ditë më parë, megjithatë lajmi u bë publik vetëm këtë të enjte.

Reagimi me vonesë i policisë

Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, por policia qëndroi në heshtje duke mos dhënë asnjë njoftim në lidhje me vdekjen e 48-vjeçares derisa çështja u bë e ditur nga mediat.

Pasi rasti u bë publik, Policia doli dhe tha se Cani ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale, por megjithatë pritet përgjigja e ekspertizës mjeko-ligjore për të zbuluar edhe shkakun e vdekjes së saj.

“U referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi në datën 28.12.2022, në ambientet e bashkisë së Lushnjës, ka humbur jetën shtetasja Sh. C., 48 vjeçe, banuese në Fiershegan.

Paraprakisht dyshohet se 48-vjeçarja e ka humbur jetën nga shkaqe natyrale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.