Shkodëra në protestë: Jo masave kundër informalitetit

456
Shkodranët i bashkoi masivisht dje në protestë situata e rëndë ekonomike, që sipas tyre vuajnë qytetarët dhe biznesi i vogël. Ata nuk pritën vendimin e PD-së për një datë fikse të fillimit të protestave, por ishin vetë ata që nisën dje valën e protestave antiqeveritare, duke shprehur zemërimin e tyre ndaj masave shtrënguese dhe aksionit të qeverisë kundër informalitetit. Mijëra shkodranë kërkuan dorëheqjen e kryeministrit me argumentin se po përdor selektivitetin në masat ndaj biznesit gjatë aksionit kombëtar. Me pankartat “Rama ik”, “Ulni taksat”, “Ku është shëndetësia falas”, “Ku po e çoni vendin”, dhjetëra banorë të Shkodrës protestuan këtë fundjavë nën organizimin e sindikatave të pavarura të kryeqendrës së veriut.

Protestuesit bënë të ditur se Shkodra po u rikthehej protestave historike, ashtu sikurse edhe vite më parë për të siguruar lirinë e cenuar nga revanshi dhe presionet nga aksionet e Tatim-Taksave, rritja e numrit të të papunëve, largimet politike si dhe emërimet jashtë çdo kriteri ligjor të mësuesve, çka po cenon edhe cilësinë e mësimdhënies. Kreu i sindikatave të pavarura në Shkodër, Albert Tukaj kërkoi reflektimin e qeverisë përballë kësaj situate mbytëse për gjendjen social-ekonomike të çdo familjeje shqiptare.
“Nuk jemi këtu në një protestë politike apo të motivuar prej saj, janë premtimet e pambajtura dhe vështirësitë që po krijohen çdo ditë, që na nxjerrin në rrugë si në vitet e para të demokracisë”, tha Tukaj duke theksuar se protestat e shkodranëve do të vijojnë. “Ne jemi busulla politike e Shqipërisë dhe shpresoj që nisma jonë të ndiqet nga të gjithë shqiptaret”, tha kryesindikalisti.

Protestuesit e mbledhur në pedonalen përpara Bashkisë së Shkodrës kanë vijuar përgjatë rrugëve të qytetit me paralajmërimet se protestat e nisura dje nuk do të ndalonin, ndërsa ftuan që këtyre protestave t’u bashkoheshin të gjithë shqiptarët. Për mbarëvajtjen e protestës, policia kishte angazhuar dhjetëra forca policore, ndërkohë që protestuesit janë shpërndarë të qetë. Protesta në Shkodër kundër aksionit që ka ndërmarrë qeveria për të luftuar informalitetin në biznese duket se është vetëm fillimi i një vale protestash që pritet të nisin në të gjithë Shqipërinë. rganizatorët shprehen se protestat do vazhdojnë duke kërkuar zbutjen e masave dhe dhënien e kohës së duhur biznesit për tu formalizuar sipas ligjit.  Edhe në Elbasan, dega e PD denoncoi se bizneset po përjetojnë një situatë të rëndë terrori nga administrata e Tatimeve në luftën kundër informalitetit. Nënkryetari Eugen Isaj shprehet se qeveria duhet të nise aksionin nga monopolet të cilat kanë marrë peng qeverinë dhe jo nga biznesi i vogël i cili përbën edhe sektorin më të madh të punësimit në vend. Sipas tij ky ritëm do të nxjerrë shumë qytetarë në rrugë.
Sigal