Sherri për objektin e ndërtimit, plagosen dy persona

665
Sigal

Dy persona janë plagosur në qytetin e Lushnjës pas një sherri që ka nisur për shkak të një objekti në ndërtim. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Loni Dhamo” rreth orës 13:00 të ditës së hënë. Të plagosurit janë pronari i ndërtesës Çaush Çaushi 64 vjeç dhe një kalimtare e rastësishme Vilma Qorri 24 vjeçe. Policia e Lushnjës ka ndaluar autorin e plagosjes shtetasin Arben Zdrava 24 vjeç. Sipas policisë shkak i këtij konflikti është një pallat që po ndërtohet nga Caush Caushi ngjitur me një tjetër pallat pesëkatësh. Prej kohësh banorët kanë kundërshtuar këtë ndërtim, i cili i izolon tërësisht apartamentet e tyre. Deri tani janë ngritur dy kate dhe autori i plagosjes ka kundërshtuar vazhdimin e këtij ndërtimi. Sherri ka nisur prej mëngjesit të së hënës, pasi disa djem të fisit Çaushi rrahën keqazi Arben Zdravën. Ky i fundit ka marrë çiften duke gjuajtur në drejtim të 64- vjeçarit. Gëzhojat e çiftes kanë plagosur edhe një kalimtare. Policia ka bërë të mundur kapjen e Arben Zdraves dhe e ka shoqëruar atë në ambientet e komisariatit për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Dhënia e lejeve pa kriter në qytetin e Lushnjës për ndërtime pallatesh ka sjelle një sërë konfliktesh si ky i sotmi i paralajmëruar nga vetë banorët.

____________________________________________________________

Tropojë, 30-vjeçari vetëplagoset me armën e tij para familjarëve

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në mesditë në qytetin e Bajram Currit, kur një i ri, rreth 30 vjeç aksidentalisht ka shkrepur armën tij, tip pistoletë duke u vetëplagosur rëndë në prani të familjarëve të tij. Burime zyrtare të policisë lokale, bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 12 në banesën e shtetasit Lulzim Metaliaj, kur ky i fundit sapo ka hyrë në shtëpi me një armë tij pistoletë , në prani të bashkëshortes dhe nënës së tij ka shkrepur armën duke u vetëplagosur rëndë. I plagosuri është dërguar menjëherë në spitalin civil të qytetit, por për shkak të plagëve të rënda, pritet që ai të dërgohet me helikopter në Tiranë për ndërhyrje të specializuar. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili ka nisur hetimet për shkaqet dhe rrethanat e vetëplagosjes së 30-vjeçarit.