Sekuestrohen 19 automjete luksoze, 11 të arrestuar

650
19 automjete luksoze si Range Rover, BMW X5 – X6, Audi A6 – A8 e Benz Mercedes, prodhime të viteve të fundit, janë sekuestruar nga Policia e Shkodrës në bashkëpunim me komisariatet e tjera në qytete të ndryshme të vendit, pas një operacioni të koduar “Lux”. Në prangat e policisë kanë rënë dhe 11 persona shtetas shqiptarë, si organizatorë dhe bashkëpunues në këtë trafik ndërkombëtar të mjeteve të vjedhura.
Sipas policisë, mjetet në fjalë janë vjedhur në vendet e rajonit e më gjerë, si Mali i Zi, Bosnjë, Kroaci, Itali e Francë dhe kanë hyrë në Shqipëri me numra shasie të ndryshuara, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitare te Hanit Hotit. Më pas automjete, pasi bënin zhdoganimin arrinin të pajiseshin me targa të rregullta. Automjetet në fjalë janë bllokuar në qytete të ndryshme si Sarandë, Tiranë, Laç e Shkodër. Drejtues të policisë dhe të Prokurorisë kanë dhënë detaje në lidhje me operacionin. Ndërkohë, sipas Prokurorisë hetimet kishin nisur që në muajin shkurt të këtij viti pas informacioneve që kishte marrë Policia e Shkodrës. Sipas prokurorit të çështjes hetimet vazhdojnë duke bashkëpunuar edhe me vendet e rajonit.
Sigal