Sauk, vajza i ankohet, babai bën për spital dhëndrin dhe krushkun

390
Një ankesë e vajzës se nuk shkonte mirë me bashkëjetuesin me të cilin ka edhe një fëmijë 3-vjeçar, ka bërë që babai të dhunojë dhëndrrin dhe krushkun e tij.
Ngjarja ka ndodhur më 8 dhjetor në periferi të Tiranës, Sauk. 55-vjeçari N.A u arrestua nga efektivët e komisariatit numër 4, pasi ka goditur me grushte dhe shkelma dhëndrin me inicialet V. S., 41 vjeç dhe krushkun 65-vjeçar me inicialet T. S. Burime nga policia thanë për mediat se kjo ngjarje mund të degradonte në një veprim kriminal nga ana e 55-vjeçarit.
Shkaku 
Shkak për këtë ngjarje është bërë bashkëjetesa e vajzës së autorit të dyshuar me 41-vjeçarin. Çifti mësohet se kishin edhe një fëmijë 3-vjeçar, ndërsa së bashku nuk kishin një marrëdhënie të rregullt dhe të qëndrueshme. Këtë problem, vajza e kishte transmetuar në familjen e saj, fakt i cili ka irrituar babain 55-vjeçar, duke shkuar tek shtëpia e dhëndrit dhe ushtruar dhunë ndaj tij dhe krushkut. Nga goditjet, burimet thonë se 41 dhe 65-vjeçari kanë marrë dëmtime të konsiderueshme në pjesën e trupit dhe kokës.
Menjëherë pas ngjarjes policia ka bërë arrestimin autorit të dyshuar N.A. Gjatë shoqërimit në polici, 55-vjeçari nuk ka pranuar që të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj dhëndrit të tij.
Sigal