Pranga dy vëllezërve Qefalia, u kapën me 59 kg kanabis në Priskë të Vogël

404
Sigal

Plot 59
kg kanabis janë sekuestruar pasditen e sotme nga Policia e Tiranës, ndërsa në
pranga janë vënë shtetasit Haxhi dhe Vullnet Qefalia. Fillimisht uniformat blu
gjetën 55.3 kg në një banesë në një banesë në fshatin Priskë e Vogël në
Zallherr, e cila ishte marrë me qira nga 36-vjeçari Haxhi Qefalia. Dhe vetëm 20
metra larg kësaj banese policia ndaloi vëllain e tij, Vullnet Qefalia, 31 vjeç,
i cili po tentonte të largohej. Këtij të fundit, policia i gjeti 3.7 kg
kanabis.

“Gjatë orëve të mbasdites së sotme (07.102016),
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë nr 5, kanë marrë
informacion në rrugë operative se shtetasi Haxhi Qefalia ishte duke futur një
sasi lënde narkotike në një banesë në fshatin Priskë e Vogël të Njësisë
Administrative Zallherr.

Shërbimet policore kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë
ku gjatë kontrollit të banesës të marrë me qira nga shtetasi Haxhi Qefalia,
është konstatuar një sasi lënde narkotike e dyshuar si canabis sattiva, ku pas
peshimit rezultoi me një peshë 55.3 kg. Gjithashtu nga veprimet e shpejta
policore është kapur në flagrancë në një distancë rreth 20 m, larg kësaj banese
në tentativë për t’u larguar shtetasi Vullnet Qefalia, i cili u kap me një sasi
lënde narkotike e dyshuar si canabis sattiva, ku pas peshimit rezultoi 3.7 kg”,
thuhet në njoftimin e policisë.

Sakaq, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë edhe për
një çift bashkëshortësh, (Sh. K., 53 vjeç, dhe Xh. K, 53 vjeçe), të cilët janë
pronarë të banesës ku u gjet lënda narkotike. Mësohet se ata ia kishin dhënë me
qira gjysmën e banesës Haxhi Qefalisë, ndërsa në pjesën tjetër të kësaj banese
jetonin vetë.

Më herët PD tha se vëllezërit Qefalia janë kushërinj të
deputetit të PS, gjë që u hodh poshtë nga deputeti Xhemal Qefalia. Ai shtoi se
do të paditë PD-në për shpifje.