Pali Nito: Vlorën e vrasjeve makabre do ta kishte “zili” edhe Palermo. Atentatet t’i parandalojmë, jo t’i numërojmë

207
Sigal

Vlorën e vrasjeve dhe krimeve makabre do ta kishte ‘zili’ edhe Palermo

Vrasjet e shumta e të shpeshta, jo thjesht t’i numërojmë, por t’i parandalojmë

 Bile Vlora që është edhe vatra më e nxehtë e vrasjeve është konsideruar si Palermo e dikurshme e Italisë fqinje. Por për situatën aktuale të Palermos, ky krahasim është i padrejtë dhe aspak real, sepse Palermo sot konsiderohet si qytet me rend dhe qetësi për t’u patur zili, ndaj  Vlora jonë e vrasjeve makabre ,ka shumë se çfarë të mësojë nga Palermo

 

Vrasjet pothuajse të përditshme, veçanërisht këto javët dhe ditët e fundit, për motive nga më të ndryshme, deri edhe për çështje krejt banale apo edhe për arsye të pa arsyeshme, janë bërë shqetësuese dhe kanë krijuar në radhët e qytetarëve një tronditje të thellë, një ndjenjë ankthi, frike e pasigurie si dhe një trishtim dhe brengosje tek familjarët dhe të afërmit e viktimave. Bilancet e vrasjeve janë të tilla a thua se jemi në një luftë të vërtetë, madje dhe në luftë nuk ndodh që të ketë vrasje përherë dhe në çdo ditë. Theksoj se vrasjet më të shumta e më të shpeshta kanë ndodhur sidomos në qarqet Vlorë, Tiranë, Shkodër, Durrës e Fier. Bile Vlora që është edhe vatra më e nxehtë e vrasjeve, është konsideruar si Palermo e dikurshme e Italisë fqinje. Por për situatën aktuale të Palermos, ky krahasim është i padrejtë dhe aspak real, sepse Palermo sot konsiderohet si qytet me rend dhe qetësi për t’u patur zili, me ekonomi të fortë e përherë në progres me zhvillim të përsosur urbanistik, me projektimin dhe realizimin e një sërë projektesh të rëndësishme  këto që kapin shifrën e milionave eurove e, që Vlora jonë, e vrasjeve macabre, ka shumë se çfarë të mësojë nga Palermo e sot, me që sa folëm për të, pak më sipër. Fatkeqësisht vrasjet, thjesht sa deklarohen dhe numërohen por nuk ka analiza, nuk ka debate në panelet televizive nga ekspertë dhe profesionistë të kësaj fushe, pra të fushës së krimit dhe çuditërisht edhe media e shkruar, po hesht. Pra, shkurt, nuk ka reagim ndaj këtij fenomeni që po na rrëmben pa mëshirë jetë të shtrenjta njerëzish për familjarët, të afërmit e tyre dhe për mbarë shoqërinë tonë. Duhet të pranojmë se Shqipëria po firon nga viti në vit pasi disa na i rrëmben si me magnet emigracioni galopant dhe i pandalshëm, disa largohen nga kjo jetë për shkak të ligjit të hekurt të natyrës e të moshës, disa jetë njerëzish na i ka rrëmbyer pandemia dhe fatkeqësi të tjera natyrore, vrasjet dhe vetëvrasjet recidiviste si dhe numri  i ulët i lindjeve, janë një paralajmërim serioz për rrezikshmërinë e tkurrjes dhe pakësimit drastik të popullsisë sonë. Por të shqetëson shumë fakti që ndononëse kemi shumë vrasje, reagimi i organeve shtetërore e sidomos i qeverisë dhe organeve të policisë së shtetit, është më shumë se nul. Kujtoj në retrospektivë se kam shërbyer më shumë se tri dekada në repartet e ushtrisë popullore dhe po të ndodhte jo vrasje, po plagosje dhe gërvishtje e lehtë, oficeri përgjegjës, vihej para përgjegjësisë tundej e shkundej mire, kalonte si i thonë, ‘në vrimë të gjilpërës’, bëheshin mbledhje dhe analiza serioze dhe shkaktari apo shkaktarët, ndëshkoheshin administrativisht, deri dhe penalisht, ndërsa sot, thjesht dhe vetëm numërohen rastet e vrasjeve në kronikën e zezë dhe asnjë analizë, e asnjë ndëshkuese ndaj shkaktarëve. Ndonëse kemi struktura të posaçme, madje edhe paralele, që duhet të meren me parandalimin e këtyre ngjarjeve, nuk i shohim gjëkundi se ku janë dhe çfarë  bëjnë, mos ndoshta bëjnë gjumin e rëndë letargjik. Ndonëse dukuritë e vrasjeve dhe vetvrasjeve janë të shumta e të shpeshta  sa që ato tashmë kanë ‘fituar të drejtën e qytetarisë’, pasi janë të shpeshta dhe recidiviste. Si intelektual dhe ish- kuadër i lartë i ushtrisë, por edhe si studiues, opinionist dhe njeri i letrave, më çudit dhe shqetëson jashtëzakonisht fakti që politika jonë u bën karshillëk vrasjeve kriminale. Një reagim me reflekse të shpejta pritej nga opozita, por kësaj opozite me sa duket i ka mbetur ora tek masakra zgjedhore. Kemi jo pak opinionistë dhe analistë, madje dhe specialistë të mirfilltë të fushës së krimeve të vrasjeve, por nuk po shohim ndonjë panel televiziv që të debatohet ndaj fenomenit të vrasjeve por mesa duket, edhe këta bëjnë gjumin e rëndë letargjik. Gjithsesi, sugjeroj që të pëqëndrohemi seriozisht dhe vendosmërisht maksimalisht te masat parandaluese, sidomos te masat administrative deri dhe ato penale, ndaj shkaktarëve që nuk reagojnë ndaj fenomenit të vrasjeve. Nëse Vlora është vatra më e nxehtë e krimeve që ndodhin për arsye të paarsyeshme, atëherë drejtoria e policisë së shtetit pse jo, dhe qeveria, të kthejnë vështrimin nga Vlora, të shtrojnë gunën e të ulen këmbëkryq e të analizojnë me përgjegjësi punën dhe veprimtarinë e komisiariatit tëVlorës e të përcaktojnë masa efektive për parandalimin e vrasjeve.