Operacioni dy ditor – Policia ngrihet në këmbë. Kontrolle nëpër sera e tunele për kanabis

511
Plot 3100 forca policore janë angazhuar në një operacion masiv dy ditor për të parandaluar kultivimin e fidanëve dhe bimëve të kanabisit në sera diellore, tunele të braktisura, ish rezerva shtetërore dhe në çdo ambjent tjetër të mundshëm që mund të përdoret nga grupet kriminale.

Operacion masiv dy ditor i nisur mëngjesin e datës 22 Shkurt dhe i përfunduar në orë 19:00 të datës 23.02.2017 ishte në shkallë vendi dhe policia e shtetit informoi sot në mëngjes se janë ushtruar 6901 kontrolle gjithsej.

Bilanci : ” Janë kontrolluar 5113 sera, 235 tunele, 692 ish rezerva dhe magazina shtetërore, 314 ish reparte ushtarake, 258 banesa të pabanuara dhe 286 objekte të ndryshme.
Kontrollohen dhe tunelet e braktisura te ushtrise

Policia në bashkëpunim me kryetarët e fshatrave ushtruan kontrolle në sera, stalla, shtëpi të braktisura pasi mund të jenë vendet e mundshme për kultivimin e fidanëve të bimëve narkotike.

Kontrollet u ushtruan edhe në të gjitha tunelet e braktisura të ushtrisë, të ish rezervave të shtetit, si dhe në ambjente të tjera për të cilat disponoheshin informacone apo kishte dyshime se mund të përdoren për të kultivuar bimë narkotike në kubikë e fidanë.

Policia nuk jep detaje nëse janë gjetur apo jo fidanë të mbjellur, apo fara kanabisi. 

Fotografohen ambientet

Të gjitha ambjentet apo objektet e kontrolluara nga Policia gjatë këtij operacioni masiv, janë fotografuar dhe filmuar nga ekspertët e policisë.

Të gjitha ambjentet që ishin me pronar pasi përfundoi kontrolli, pronarët firmosën deklaratë se këto ambjente nuk do të përdoren për kultivim të bimëve narkotike.

Edhe për ambjentet dhe objektet pa pronar, është mbajtur procesverbal i firmosur nga pjestarët e grupeve të kontrollit.

Cdo dite kontrolle per parandalimin e kultivimit

Policia informon se kontrollet për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike do të vijojnë çdo ditë në territorin e çdo Drejtorie Vendore të Policisë së Qarqeve.

Gjithashtu do të analizohet çdo informacion policor apo i marë nga komuniteti, në lidhje me personat që sigurojnë farën e bimës Cannabis Sativa, personat që e blejnë dhe kultivojnë bimë narkotike, personat që blejnë në farmacitë bujqësore pesticide antiparazitarë, që sigurojnë pleh organik dhe gota plastike me shumicë.

Operacioni është në zbatim të Planit të Veprimit i firmosur nga Ministri i Punëve të Brendshme “Për evidentimin dhe goditjen e fenomenit të sigurimit të farës, kultivimit të fidanëve dhe bimëve narkotike (Cannabis Sativa) në sera diellore, tunele të braktisura, ish rezerva shtetërore dhe në çdo ambjent tjetër të mundshëm që mund të përdoret nga grupet kriminale”
Sigal