Policia e Tiranës vijon aksionet për evidentimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, duke vënë në pranga një 57-vjeçar që kishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme në një pallat.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, ushtruan kontrolle në rrugën “Frederik Shiroka”, ku konstatuan një ndërtim të paligjshëm në tarracën e një kompleksi banimi.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi S.S. kishte ndërtuar një objekt banimi pa leje, duke shfrytëzuar hapësirën e përbashkët të pallatit.
Në përfundim të veprimeve, 57-vjeçari u arrestua në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Krimeve, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin për të parandaluar dhe ndëshkuar çdo rast të ndërtimeve pa leje.



















