Mbytja e të riut në Velipojë, pushuesit në protestë: Ambulanca u vonua, mungojnë rojet bregdetare

100
Sigal

Pushuesit në Velipojë, të cilët janë kryesisht shtetas të Kosovës, kanë protestuar sot për shkak se në plazh mungojnë rojet, dhe ekipet mjekësore që të japin ndihmë për personat në rrezik mbytje.

Protesta është zhvilluar për shkak të ngjarjes së djeshme, ku u mbyt një pushues, ndërsa protestuesit thonë se reagimi i ambulancës ka qenë shumë i vonuar.

Pushuesit thonë se do largohen nga bregdeti shqiptar në rast se nuk merren masa të menjëhershme për rojet bregdetar dhe ekipet mjekësore.

“Dje ka shkuar djali 43 vjeçar, iku për shkak të mosdijes, ka pësuar infrakt, për shkak të ujit që ka qenë i ftohtë, veç e ka lëshuar dorën, dhe më pas ka pirë ujë. Edhe një femër ashtu para disa ditëve, lus pushtetin qeveritar, qysh dinë me na marrë lekë, atëherë duhet dhe të na bëjnë shërbim. Krejt bregdeti vend më të bukur dhe më të mirë nuk ekziston se Velipoja”, shprehet një prej protestuesve.

“Policia ka reaguar vonë, ne vijmë këtu për të pushuar dhe jo për të ngushëlluar”, thotë një tjetër pushues i Kosovës.

“Zonja që erdhi për të dhënë ndihmën e parë ishte me taka, duhet pasur kujdes edhe si vjen edhe kur vjen”.

“Ne apelojmë Ramën që të na garantojë ndihmën e parë dhe policinë, shteti duhet të vërë dorë, në vijmë këtu për të bërë pushime, por infrastruktura mungon. Janë 10 mijë pushues për momentin, dhe nuk ka një mjek afër”, shprehen më tej pushuesit.

“Emergjenca ka vonuar shumë, nuk i është dhënë kujdesi mjekësor, është vonuar urgjenca më shumë se një orë, unë nuk e di sa bën që të vijë emergjenca nga Shkodra këtu, por duhen të paktën 3 emergjenca që të jenë këtu. Këtu janë të gjitha moshat, që te fëmijët, deri te të porsalindurit dhe të moshuarit”, thotë një tjetër pushuese.