Lëviznin me “Land Rover” nëpër qytet, kapen dy të rinjtë me dro.gë dhe municione

106
Sigal

Në Devoll janë arrestuar dy qytetarë pasi janë ndaluar dhe janë gjetur në mjetin që lëviznin me doza kanabisi. Drejtuesi i mjetit është qytetari me inicialet N.D 21 vjeç, i papajisur me lejen e drejtimit ndërsa pasagjer, qytetari me inicialet E.K 36 vjeç.

Sipas informacioneve dy qytetarët shpërndanin kanabis pranë zonës ku jetonin. Pas kontrollit të bërë në banesën e E.K-së është gjetur gjithashtu një sasi tjetër kanabisi dhe municion luftarak.

Priten veprimet e mëtejshme nga Prokuroria.

Njoftimi i Policisë:

Devoll/Goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla.
U kap me një sasi kanabisi, në automjetin që e drejtonte pa leje drejtimi, vihet në pranga 21-vjeçari.
Arrestohet në flagrancë edhe pasagjeri në automjet, pasi dyshohet se i kishte shitur 21-vjeçarit, sasinë e kanabisit. Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti një tjetër sasi droge dhe municion luftarak.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas shpërndanin doza të lëndëve narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, goditën një rast të shpërndarjes së tyre në doza të vogla. Si rezultat, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
N. D., 21 vjeç, banues në Bilisht dhe E. K., 36 vjeç, banues në fshatin Bitinckë, Devoll.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative se këta shtetas ushtronin këtë aktivitet të paligjshëm, i kanë ndaluar ata në qytetin e Bilishtit. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Land Rover” me drejtues shtetasin N. D. dhe pasagjer shtetasin E. K., u gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të cilën 21-vjeçari dyshohet se ia kishte blerë shtetasit E. K. Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi N. D. e drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. K., u gjet një sasi tjetër me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, një grirëse dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.