Sigal

Djali që shikoni në foton më poshtë, është Ervin Preçi, 27-vjeçari që humbi jetën në aksidentin në Sauk rreth orës 03:00 të mëngjesit të datës 7 Gusht, ku ishte pasagjer në makinën “Benz” që drejtohej nga 28-vjeçari me iniciale L.D.

Makina humbi kontrollin dhe doli nga rruga. Viktima Preçi, u dërgua me urgjencë në spital por nuk mundi të mbijetonte. Pasagjer në këtë automjet ishte dhe një vajzë 23-vjeçare me iniciale D.Xh., e cila së bashku me shoferin mbetën të plagosur dhe u dërguan në spital.

Ndarja e tij e parakohshme nga jeta ka hidhëruar familjarët dhe miqtë e 27-vjeçarit. Në rrjetet sociale ata kanë shprehur ngushëllimet për mikun e tyre.

“Ngushëllime për familjarët, Zoti i merr njerëzit e mirë me vete. Ervin të qoftë i lehtë dheu”, është një prej mesazheve ngushëlluese..

Ervin Preçi është fëmija i dytë dhe djali i vetëm i familjes Preçi me origjinë nga Rrësheni dhe banues në Tiranë. Shkaqet e këtij aksidenti të rëndë që i mori jetën të riut ende nuk janë të qarta. Uniformat blu vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.