“Kujtoi se po flinte”/ Detaje prekëse nga vdekja e 40-vjeçares shqiptare në Itali: Vajza 4-vjeçare ndenji me të gjithë natën

100
Sigal

Një emigrante shqiptare ndërroi jetë nga arresti kardiak në Itali dhe vajza e saj e mitur qëndroi bashkë me të, derisa u zbulua se kishte vdekur.

Historia prekëse ndodhi në Vigevano, në zonën e Pavias. Mediat italiane shkruajnë se 40-vjeçarja që ka ndërruar jetë është me origjinë shqiptare.

Mendohet se gruaja ka ndërruar jetë papritur nga një arrest kardiak. Në banesë ajo ishte me vajzën 4 -vjeçare, e cila në fakt ka ndenjur me të ëmën gjithë natën duke kujtuar se ajo ishte në gjumë.

Të nesërmen në mëngjes, familjarët e gruas dhe punëdhënësi nuk kanë mundur të kontaktojnë me telefon dhe kështu pasdite tezja e vajzës së vogël, motra e të ndjerës, ka shkuar në banesën, ku ajo kishte çelësat rezervë. Kur ka hyrë brenda ka parë vogëlushen pranë krevatit, e cila i ka thënë të heshtë sepse në fakt mamaja e saj ishte duke fjetur. Tezja e kuptoi menjëherë situatën, e mori fëmijën dhe e çoi në një dhomë tjetër e më pas thirri personelin mjekësor.

Mjekët, të cilët mbërritën në vendngjarje, konstatuan vdekjen e gruas, duke ia atribuuar një sëmundjeje të papritur. Historia më pas bëri xhiron e internetit, në komunitetet e qytetit, duke ngjallur shumë emocione.

Ndërkohë vajza e vogël është marrë nga të afërmit. Mësohet se edhe komuniteti shqiptar në Vigevano do të bëjë një marshim solidariteti.