Kreu i policisë, Gledis Nano: Me mbështetjen edhe të Guardia di Financa, do ndëshkojmë pa mëshirë cilindo që do tentojë të mbjellë edhe një fidan hashashi, apo të trafikojë lëndë narkotike

154
Sigal

Zero tolerancë ndaj shkelësve të sinjalistikës rrugore dhe ngjarjeve kriminale. Në një javë arrestuam 179 persona dhe 23 të shpallur në kërkim

 

 Prej datës 1 maj, paralelisht me kontrollin në terren, Guardia di Finanza italiane po patrullon nga ajri për të pikasur parcela të mbjella me kanabis në Shqipëri. Në fluturimin për tre orë me ta në ajër ka udhëtuar edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Gjatë monitorimit u verifikuan, në zona të thella si Dukagjin, Theth, Valbonë, Muriqan, Malësi e Krujës etj, koordinata në të cilat kishte dyshime se kultivoheshin bimë narkotike. Por përveç kanabisit, u ndoq dhe u verifikua një mjet lundrues, i cili nuk kishte sende të kundërligjshme në bord, por kishte dalë për peshkim.

Drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano dhe kapiteni i GDF-së, Sergio Angelucci u shprehën: Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano: Ne, sot, zhvilluam një fluturim monitorimi, bashkë me kolegët e “Guardia di Finanza”, kryesisht në zonën veriore të vendit. Pjesëmarrja ime në këtë fluturim nuk ishte thjesht për t’i falenderuar kolegët italianë që punojnë për të na mbështetur në luftën kundër kultivimit të kanabisit, por për t’iu treguar të gjithë mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe vendosmërinë time personale, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, po ashtu edhe të të gjithë efektivëve, në lidhje me goditjen e problematikës së kultivimit të kanabisit.

Dua t’i falenderoj kolegët e “Guardia di Finanza”, si ekuipazhin e helikopterit ashtu edhe kolegët e tjerë, që monitorojnë nga qendra e kontrollit të gjitha fluturimet dhe vendndodhjet e vendeve, të dyshuara si pjesë e kultivimit të kanabisit, janë një skuadër profesionistësh dhe për këtë unë falënderoj kolegët e Interforce, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë italiane dhe Ministrinë e Brendshme italiane, e cila na ka ofruar këtë mundësi, për të lokalizuar me teknologjinë më të fundit që mjeti fluturues, helikopteri, që kemi pas shpine, mban me vete.

Dua të siguroj të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që do të kenë mbështetjen time personale lidhur me luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe çdo lloj paligjshmërie tjetër në vendin tonë.

I përgëzoj dhe i falenderoj për të gjithë punën që ata bëjnë në terren, është punë jo e lehtë të gjurmosh dhe të lokalizosh çdo bimë kanabisi, të mbjellë në terrenet më të thyera të vendit tonë.

Ju siguroj që Policia e Shtetit është e vendosur, me tolerancë zero, kundër fenomenit apo problematikës së kultivimit të kanabisit dhe do të vazhdojmë siç e kemi nisur këtë vit, pak më herët nga vitet e kaluara, për të identifikuar çdo vend të përgatitur për kultivimin e kanabisit, për të shkatërruar e asgjesuar çdo bimë, që në fazën fillestare të saj, në mbjelljen në terren.

Kapiteni i GDF-së Sergio Angelucci: Falënderoj Drejtorin për vlerësimin që shpreh për shtetin italian dhe për “Guardia di Finanza”-n. Ne sigurisht, garantojmë impenjim maksimal, me qëllim realizimin e kësaj veprimtarie të rëndësishme, në territorin shqiptar. Monitorimi ajror nga GDF-ja dhe kontrollet intensive nga toka, me punonjës police dhe dronë që Policia e Shtetit ka në dispozicion do vijojë në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e çdo tentative për kultivim të bimëve narkotike.

Policia e Shtetit bën bilancin e javës: U parandaluan ngjarje kriminale, arrestuam 179 persona, 23 prej të cilëve të shpallur në kërkim!

Policia e Shtetit bëri bilancin në një javë punë ku deklaron se janë kryer monitorime intensive ku gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar e shpallur në kërkim 537 persona, nga këta: 179 janë arrestuar, 335 janë proceduar penalisht dhe 23 janë shpallur në kërkim. Janë kapur në total 35 persona në kërkim, nga këta: 32 në kërkim kombëtar dhe 3 në kërkim ndërkombëtar. Janë zhvilluar 24 operacione policore. Si rezultat i këtyre operacioneve janë sekuestruar 23 kg kanabis, 27 pako me lëndë, të dyshuar narkotike, të llojit cannabis sativa, në formë çokollate. Si rezultat i kontrolleve në pikat e kalimit kufitar, në PKK Kakavije është goditur një rast i tentativës për trafikim të  narkotikëve dhe janë sekuestruar rreth 5 kg heroinë e kokainë. Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë goditur 11 raste dhe janë sekuestruar 3 armë zjarri, 1 armë gjahu, municion luftarak etj. Gjatë kësaj jave janë pezulluar 897 leje drejtimi, 713 për tejkalim shpejtësie mbi normat e lejuara, 109 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur. Janë arrestuar 76 drejtues mjetesh, 39 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.  Janë arrestuar 5 drejtues mjetesh, pasi janë kapur duke drejtuar automjetet, nën efektin e lëndëve narkotike. Janë vendosur 17.955 masa administrative, si dhe janë goditur, 2 raste të korrupsionit aktiv ndaj punonjësve që ushtrojnë funksione publike. Kontrolle në pikat e kalimit, në kufirin e gjelbër dhe në atë blu, me qëllim parandalimin e trafiqeve. Gjatë kësaj jave janë kapur 5 shtetas në kërkim, nga të cilët 4 në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar.

 

  • Si rezultat i kontrollit masiv të territorit, me dronë dhe me shërbime policore nga toka, për parandalimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike dhe trafikimit të lëndëve narkotike, janë finalizuar operacionet policore të koduara “Çekreza” dhe “Hill”, të zhvilluara nga Policia e Tiranës.
  • Janë goditur 17 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 54 raste të dhunës në familje.
  • Janë evidentuar dhe goditur 39 raste të krimeve mjedisore; 2 raste të organizimit të lojërave të fatit; 6 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe janë sekuestruar 2 automjete, 7 aparate celulare, shuma
  • Janë arrestuar 76 drejtues mjetesh, nga këta: 39 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 37 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
  • Janë arrestuar 5 drejtues mjetesh, pasi janë kapur duke drejtuar automjetet, nën efektin e lëndëve narkotike.
  • Janë vendosur 17.955 masa administrative, si dhe janë goditur, nga Policia Rrugore e Tiranës, 2 raste të korrupsionit aktiv ndaj punonjësve që ushtrojnë funksione publike.