Kalimi nga Serbia është kthyer në rrezik për shqiptarët e Kosovës: ‘Hera e fundit, shumë keq’

116
Sigal

Protestat e serbëve në veri kanë bërë që të rritet rreziku për sigurinë e qytetarëve të Kosovës që zgjedhin Serbinë të kalojnë nëpër të. Bashkatdhetarët kanë rrëfyer për keqtrajtimet që u janë bërë, e disa të tjerë edhe janë arrestuar, meqë siç u është thënë “u ka rënë shorti”. Autoritetet në Kosovë kanë bërë thirrje që të shmanget Serbia në udhëtimet e tyre

Luan Kelmendi, më vendbanim në Gjermani, ka vendosur që në Kosovë të mos vijë më asnjëherë nëpërmjet Serbisë, shkruan Koha ditore. Keqtrajtimi i autoriteteve serbe, rrugës dhe në kufi, sipas tij, asnjëherë nuk ka qenë më brutal sesa herën e fundit kur erdhi në Kosovë, 10 ditë më parë.

“Udhëtoj gati qe 7-8 vjet çdo muaj, çdo dy javë. Ama hera e fundit ka qenë shumë, shumë, shumë keq”, ka thënë bashkatdhetari Luan Kelmendi.

Thotë se është detyruar të paguajë mito, por me këtë nuk u ka shpëtuar pritjeve të gjata dhe fyerjeve.

“M’i mori dokumentet kur hyra në Serbi dhe kur më ktheu që të tek  kamionët; m’i dha dokumentet prapë dhe më shau në gjuhën e vet. Të reagosh kur të shajnë dhe nuk mund t’i durosh, atëherë lind konflikt me ta. Të arrestojnë, të keqtrajtojnë, aty është problemi. Plus t’i nuk ke shans të hysh në Serbi pa dhënë para. Ajo është e pamundur”, ka thënë Kelmendi.

Veç keqtrajtimeve, ditëve të fundit Policia kufitare e Serbisë kreu edhe arrestime të qytetarëve kosovarë. Një nga ta, i njohur për redaksinë, u arrestua me arsyetimin se i ka rënë shorti.

Për shkak të tensionimit të situatës në veri, ku prej dy javësh serbët po mbajnë protesta, nga Ministria e Punëve të Brendshme ditë më parë kanë bërë thirrje që bashkatdhetarët të shmangin Serbinë, duke përmendur edhe arrestimet.

Mirëpo, nga kjo ministri e as nga Zyra e Kryeministrit nuk dhanë shifra se sa qytetarë kosovarë janë arrestuar gjatë kalimit nëpër Serbi.

E nga organizata për diasporën “Germin” kanë kërkuar që institucionet dhe ambasadat të bëjnë më tepër në informimin e qytetarëve për t’i evituar problemet gjatë udhëtimit nëpër Serbi.

“Në këtë drejtim ndoshta duhet të punohet edhe me mekanizma e institucione ndërkombëtare të cilat janë në Serbi siç është OSBE-ja apo organizatat e ndryshme Transparency International dhe organizata që e monitorojnë punën e institucioneve e atjeshme të sigurisë dhe rendit. Ndërkohë thirrja për bashkatdhetarët tanë është që të shmangin kalimin përmes Serbisë, jo vetëm për shkak të tensioneve, por për shkak të trajtimit çnjerëzor që u bëhet në shumicën e rasteve”, ka thënë Lirim Krasniqi nga organizata “Germin.

Sipas të dhënave të Policisë, nga 22 maji deri më 5 qershor, nëpër pikat kufitare me Serbinë kanë hyrë në Kosovë rreth 125 mijë qytetarë.