“Jemi fshatarë! Ikni në Tepelenë, ku qeveria i mbron”, gazetari rrëfen operacionin e drogës në Krujë dhe bisedën me…

558
Droga shqiptare përveç trafikimit jashtë kufijve ‘ka mbërritur’ në çdo media edhe në SHBA. Radio publike amerikane ka kryer një reportazh mbi kultivimin e drogës në Shqipëri, teksa gazetari amerikan që ka mbërritur në tokën tonë, jep dhe disa detaje interesante të ditëve të tij të “gjuetisë” së hashashit.
Reportazhi nis me udhëtimin me furgon, me oficerin përgjegjës, Eltonin, një burrë rreth të 40-ave me kokën të rruar.
Gazetari Nate Tabak ka marrë pjesë në një aksion policor anti-drogë në Krujë, por teksa efektivët e policisë kanë gjetur dhe djegur një parcelë hashashi, nuk kanë arritur që ta përfundojnë aksionin. Zero të arrestuar. Eltoni është oficeri përgjegjës i aksionit, por gazetari amerikan Tabak nuk e shkruan identitetin e tij të plotë.
REPORTAZHI
Eltoni është një polic në një mision për të çrrënjosur industrinë gjigande të marijuanës se paligjshme në Shqipëri. Madje ai duket se është për këtë punë, me një trup muskuloz dhe një kokë të rruar
Në një mëngjes të nxehtë gushti, ky komandant rajonal i antidrogës në Policinë e Shtetit të Shqipërisë udhëheq një eskortë të vogël nga qyteti i Krujës drejt një zone me pak njerëz dhe shumë male.
Sapo kemi udhëtuar pak minuta jashtë qytetit, duke lëvizur në një rrugë dredha-dredha me dy korsi, kur shenja e parë e marijuanës shfaqet në formën e një gjetheje kanabisi të pikturuar në gur.
“Adoleshentët pinë shumë”, thotë Eltoni, i cili kërkoi që të mos jepej mbiemri i tij për arsye sigurie. Ai heshti për një çast dhe filloi të më tregonte për një shok i cili pinte hashash në shkollën e mesme, e më pas filloi heroinën. Ai u kthye në një të droguar dhe vdiq nga mbidoza. “Është e dhimbshme për mua sepse ishte me të vërtetë një djalë i mirë”.
Eltoni, një baba në të 40-tat, beson në teorinë se përdorimi i marijuanës i çon njerëzit të përdorin e të abuzojnë edhe me drogëra më të rënda e të rrezikshme. Ai thotë se duke i shkuar marijuanës në burim, aty kur rritet, do ta bëjë Shqipërinë më të sigurt.
Ky vend me 2.8 milionë banorë ka një uri relativisht të vogël për hashash dhe drogëra të tjera krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian. Vetëm 1 në dhjetë të rritur thonë se e kanë provuar marijuanën gjatë jetës së tyre, pothuajse sa çereku i raportit krahasur me BE-në
Por Shqipëria është furnizuesja më e madhe e Evropës e marijuanës së jashtëligjshme, pjesa më e madhe rritet në qiell te hapur, sipas Europol-it. Në vitin 2014, në aksion i policisë ndaloi veprimtarinë e atij që njihej si kryeqyteti i rritjes së hashashit në Evropë, fshati i Lazaratit, ku banorët kultivonin marijuanë në mënyrë të paligjshme në shkallë të gjerë për vite me radhë.
Një “xhiro” drejt një shtëpie të bukur pranë fushës ku u gjet droga nuk nxori në dritë asgjë, vijon më tej në reportazhin e tij gazetari. E kësisoj, në kthim, policia përballet me një surprizë të pakëndshme.
Një grup të rinjsh, të ulur pranë një kafeneje pranë zonës ku policia shkatërroi parcelën, ndalon makinat dhe uniformat blu me të bërtitura.
Ngjarjet zhvillohen në fshatin Noje të Krujës. Njëri nga të rinjtë i thotë policëve që tashmë kanë dalë nga makinat, se me këto aksione po i shkatërrojnë.
“Ne jemi vetëm fshatarë,” – shton njëri nga djemtë e tjerë. “Shkoni në Tepelenë, një qytet në jug, atje ku qeveria akuzohet se mbron rritësit e hashashit,” thonë njëzëri të rinjtë e fshatit.
Por pas një tensioni në rritje që dukej se do të shpërthente, gjithçka mbaron. Policia shkon nëpër makina. Djemtë e “guximshëm” sërish në kafene.
Gazetari shkruan pak fjalë për oficerin, Eltonin. Ai tregon se Eltonit nuk i intereson aspak debati që është në vëmendje të të gjithëve (Saimir Tahiri dhe Habilajt).
“Ky takim me fshatarët i la banorët të frikësuar, por Eltoni nuk iu afrua zbulimit të ‘peshkut të madh’” – e ka mbyllur reportazhin gazetari.
Sigal