I pret rrugën me makinë e më pas i shkon në shtëpi me kallashnikov, pranga shkodranit

362
Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar nga policia e Shkodrës ditën e djeshme. Një 35-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi ka kërcënuar me armë zjarri bashkëfshatarin e tij.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në aksin rrugor Shkodër-Velipojë, ku i riu Anton Preçi i ka ndërprerë me qëllim rrugën me automjetin e tij tip “Wolksvagen” me targa AA730MH, shtetasit me inicialet N.D, 54 vjeç, banues në Berdicë, i cili po udhëtonte me automjetin e tij tip “Fiat”, me targa AA373 EK.

Fill pas kësaj, shtetasi Anton Preçi është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka shkuar përpara banesës së 54-vjeçarut dhe ka qëlluar në ajër me armë zjarri kallashnikov, dhe është larguar.

Për parandalimin e përshkallëzimit të këtij konflikti, shërbimet e Policisë në mënyrë të menjëhershme kanë shkuar në vendngjarje dhe pasi janë vënë në ndjekje të autorit bënë të mundur arrestimin në flagrancë të tij;

Mësohet se Anton Preçi, 35 vjeç, banues në Berdicë, Shkodër, ka pasur konflikte të vazhdueshme me 54-vjeçarin.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja, model 56, kalibër 7.62 mm.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Sigal