Grushte e shkelma për lajmin, zbardhet dëshmia e gazetarit në polici. Si u dhunua bashkë me bashkëshorten nga dy persona

89
Sigal

Zbardhet dëshmia në polici e gazetarit Elvis Hila, i cili sëbashku me bashkëshorten e tij u dhunuan pasditen e sotme nga 2 persona, tashmë të identifikuar dhe të shpallur në kërkim nga policia.

Shkak është bërë një lajm i publikuar mesditën e kësaj të mërkure mbi një vendim gjykate.

Autorët, Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri kanë dhunuar edhe bashkëshorten e tij, Benereta Hila, e cila ishte në makinë së bashku me gazetarin në momentin kur ndodhi ngjarja.

Hila ka marrë fraktura në trup, për shkak të dhunës dhe është nisur drejt spitalit së bashku me gruan, ku kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor. Pas kësaj, kanë bërë kallëzimin në polici.

DËSHMIA

Pasi lajmi është publikuar në mediat ku unë punoj rreth orës 14:47 të ditës së sotme më ka telefonuar nga numri i telefonit “+355693076906 djali i tij duke më share, ofenduar dhe kërcënuar në lidhje me publikimin e bërë. Rreth orës 16:42 isha me bashkëshorten time dhe jam telefonuar nga një tjetër shtetas me numrin “+355693638336” i prezantuar si shtetasi Paulin Pergjini dhe me kërkoi që të takoheshim përballë Bar Firence në afërsi të rrugës së spitalit. Kur jam afruar aty e kam telefonuar numrin në fjalë dhe ka dalë nga një automjet tip Golf 6 i cili ishte i parkuar në anë të rrugës. Nga kjo makinë ka dale edhe shtetasi Indrit Ameri.

Më thanë që të parkoja makinën dhe të dilja nga makina. Unë e parkova në anën e rrugës së vjetër të spitalit dhe aty me janë afruar personat në fjalë të cilët unë i identifikova si Paulin Përgjini dhe personi tjetër me Indrit Ameri dhe filluan të më kërkonin llogari dhe të më kërcënonin në lidhje me lajmin e publikuar. Pasi unë nuk pranova të zbrisja nga makina tentuan të më hapnin derën e makinës dhe në këtë moment ka zbritur bashkëshortja ime shtetasja Benereta Hila që t’u thoshte që të largoheshin.

Pasi bashkëshortja ime tentoi t’i largonte nga dera e makinës dhe po mundohej të telefononte policinë shtetasi me Indrit Ameri i ka rënë me dorë telefonit dhe pasi ajo është ulur për të marrë telefonin ky shtetas e ka goditur me grusht në pjesën e pasme të qafës. Dhe më pas kanë ardhur në drejtimin tim dhe ka tentuar të më nxjerrë me forcë nga makina. Pasi nuk arritën të më nxirrnin nga makina shtetasit Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri më kanë goditur me shkelma dhe grushte. Bashkëshortja ime ka hypur në makine dhe jemi larguar drejt spitalit ku dhe morëm mjekimet e duhura. Proces verbalin e kallëzimit pasi e lexoj dhe konfirmoj se thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e kuptoj çfarë kam thënë, e firmos pa asnjë vërejtje.