Grabitja në Rinas, celulari i gjetur dërgohet në Izrael

498
Sigal

Aparati celular i gjendur brenda fugonit me mbishkrimin ‘Hetimi Tatimor’, që u përdor në grabitjen e miliona eurove në Rinas, do të dërgohet jashtë vendit për të çkoduar të gjitha bisedat dhe sms-të e kryera gjatë 6 muajve të fundit.

Burime nga prokuroria shprehen se, ai është një celular i thjeshtë dhe i pakoduar, dhe nga kontrolli paraprak që i është bërë, ka rezultuar se nuk ka pasur të regjistruar asnjë thirrje zanore që do të ishte me vlerë për grupin hetimor.

Ndërkohë në brendësi të makinës që dyshohet se përdorën grabitësit e miliona eurove në Rinas, nuk janë gjetur gjurmë biologjike që do të çonin në zbulimin e autorëve, raporton A2 CNN.

Paraditen e kësaj të hëne, siç duket edhe në këto pamje, Policia e Tiranës zhvendosi automjetin e djegur, që u gjet në fshatin Dritas. Nga ekspertiza, nuk rezulton të jenë gjetur shenja gishtërinjsh, fije floku apo materiale të tjera biologjike që do të ndihmonin specialistët të identifikonin autorët.

Deri tani, e vetmja provë e hetuesve mbetet automjeti me mbishkrimin ‘Hetimi Tatimor’, i cili u përdor për të lëvizur bllokun e betonit të vendosur para derës së hyrjes së emergjencës së aeroportit, ndërsa po verifikohen disa servise makinash, për të mësuar se ku mund të jetë modifikuar shasia e mjetit, të cilit i ishte vendosur një shinë treni.

Nga ana tjetër po verifikohen edhe disa biznese private të reklamave ku mund të jetë printuar logo ‘Hetimi Tatimor’, si dhe është kërkuar edhe informacion mbi vendin ku është porositur maska e përdorur nga Admir Murataj dhe grabitësit e tjerë.

Po ashtu, tre prokurorët Besnik Muçi, Arens Çela dhe Klodian Braho kanë sekuestruar të gjitha raportet e shërbimit në aeroport, për të parë nëse janë zbatuar procedurat nga koncesionari dhe komisariati i Rinasit si edhe patrulla e FNSH.

Brenda kësaj jave, prokuroria pritet të marrë në pyetje drejtuesit e kompanisë së sigurisë ICTS-së, si dhe familjarët e Admit Murataj.

Nga përgjigjja paraprake e ekspertizës që i është bërë Muratajt, ka rezultuar se ai u qëllua me një plumb në kokë nga policia, gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ekspertiza verifikoi se edhe vetë Murataj ka qëlluar në drejtim të uniformave blu, për shkak se në duart e tij janë vërejtur mbetje baruti.

Në vendngjarje u fiksuan mbi 100 gëzhoja arme zjarri të kalibreve të ndryshme, ndërsa procedimi penal është regjistruar mbi 4 akuza: shpërdorim detyre, krijim i grupit të strukturuar kriminal, grabitje me armë dhe vrasje e punonjësit të policisë e mbetur në tentativë.