Grabitja e Exchange në Fier, autorët e hodhën çantën në lumë, ja sa para ndodheshin brenda

666
Një shumë e konsiderueshme parash është arritur të merret nga tre autorët e grabitjes sot në qytetin e Fierit nga një pikë këmbimi valutor. Sipas policisë, pas kapjes së autorëve, në çantën e tyre janë gjetur 6 360 euro dhe 954 900 lekë.
Gjatë një operacioni që zgjati rreth 90 minuta që nga koha e grabitjes, policia e Fierit arriti të vërë në pranga tre autorët e dyshuar Zini Fyraj, 37 vjeç, banues në Sevaster, Vlorë; Lulëzim Demiraj, 42 vjeç, banues në Vajzë, Vlorë; Dashamir Gergali, 41 vjeç, banues në Zhupan, Fier.
Të tre këta persona kanë qëlluar me armë zjarri gjatë grabitjes dhe për pasojë janë plagosur 2 shtetas, pronari i pikës së këmbimit valutor, shtetasi Gëzim Hoxha, 64 vjeç dhe shtetasi Agur Vrenozi, 53 vjeç, i cili ndodhej pranë kësaj pike.
64-vjeçari Hoxha ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve, ndërsa shtetasi Vrenozi u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë, për mjekim më të specializuar.
Pas arrestimit të autorëve, policia ka gjetur edhe mjetin e krimit, armën automatike tip “kallashnikov”, të cilën autorët e kishin fshehur në një kanal me shkurre. U sekuestruan edhe 28 fishekë “model 56” si dhe 2 gëzhoja. Gjithashtu u sekuestrua çanta me paratë që u vodhën në pikën e këmbimit valutor, të cilën policia e gjeti në lumin ku u hodh njëri prej autorëve.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim, “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”.


Sigal