Gjykata e Sarandës shpall të pafajshëm 32-vjeçarin, me precedent që në moshë të mitur për vepra të ndryshme penale

121
Sigal

Gjykata e Sarandës shpall të pafajshëm Geraldo Obznovën

Geraldo Obznova, një person me precedentë të shumfishtë penalë është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës për një vjedhje me dhunë të ndodhur më shumë se dy vite më parë. Obznova, 32 vjeç, me precedentë që në moshë të mitur për “vjedhje” disa herë, “mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “shkatërrim prone me eksploziv”, “kultivim i bimëve narkotike”, konsiderohet nga policia e Sarandës person me rrezikshmëri të lartë. Megjithatë Gjykata e Sarandës e ka shpallur atë të pafajshëm me një vendim të një muaji me parë të gjyqtarit Alban Veçani, konkretisht të datës 17 janar për një rast vjedhje me dhunë ndaj një të moshuare duke e jusitifikuar vendimin me një “gabim” të kryer nga Komisariati i Policisë Sarandës. Ngjarja për të cilën akuzohet Obznova, ka ndodhur në 05.11.2020 kur policia ështe njoftuar nga një e moshuar se në banesën e saj në fshatin Aliko, Finiq është kryer vjedhje me dhunë. Porta hyrëse e katit të dytë të banesës u konstatua e hapur dhe në tokë nga policia dhe në afërsi të saj është konstatuar një dryn i dëmtuar i cili në pjesën e sipërme kishte një dëmtim të shkaktuar me mjete të forta. Sendet në brendësi të banesës u konstatuan të lëvizura të hedhura në mënyrë të çrregullt. Vetë e dëmtuara tha për policinë se rreth orës 24.00 të datës 05.11.2020 kishte dëgjuar zhurmë tek porta e jashtme e banesës dhe kishte hapur derën e dhomës ku flinte për të parë se çfarë kishte ndodhur. Në momentin që ka hapur portën ka ardhur një person i cili e ka qëlluar me grusht në fytyrë dhe më pas me shkelma në trup dhe i ka thene se ku i ke leket. E dëmtuara më tej i ka treguar autorit vendin ku ndodheshin lekët.

Mbi këtë bazë nga ana e policisë gjyqësore është proceduar me paraqitjen për njohje me anë të fotografive. Nga kryerja e ketij veprimi, në të dy variantet e kryerjes së tij e dëmtuara e ka njohur si personin që ka hyrë ne banesë dhe e ka qelluar me grushta dhe ka vjedhur parate shtetasin Geraldo Obznova që ne variantin e parë mbante numrin 3 dhe në variantin e dytë mbante numrin 1.

Madje rezulton që gjatë kohës që ka ndodhur ngjarja, Obznova ka qenë person i shpallur në kërkim për ngjarjen e datës 09.07.2020 kur policia zbuloi një parcelë me lëndë narkotike në Dërmish, Finiq. Ai u arrit të kapej nga policia e Sarandës në 13 mars 2021.

Por në përfundim të Gjykimit, gjyqtari Alban Veçani e hodhi poshtë paraqitjen për njohje që Komisariati i Policisë Sarandë i bëri viktimës së vjedhjes me dhunë. Sipas vendimit të Gjykatës: “njohja e personit nga viktima ditën e ngjarjes është kryer në kundërshtim me nenin 173/2 të K.Pr.Penale pasi fotografia është vendosur midis fotografive të personave që janë qartësisht të dallueshëm ndaj njëri-tjetrit. I pandehuri Geraldo Obznova ka tipare qartësisht të dallueshme me të paktën dy nga tre personat e tjerë, fotografitë e të cilëve janë vendosur për njohje. Referuar deklarimeve të viktimës, i pandehuri ka patur të veshur një xhup me ngjyrë të zi. Referuar procedurës së njohjes rezulton se dy nga katër persona (përfshirë të pandehurin) mbajnë veshje me ngjyrë të zezë, ndërsa dy të tjerë kanë veshje në ngjyrë gri. Ndërmjet dy personave të veshur me ngjyrë të zezë konstatohet lehtësisht se nuk ka asnjë tipar të përbashkët. Ky fakt e bën rezultatin e këtij veprimi procedural të parregullt dhe rezultatin e përftuar të pavlefshëm. Duke mos pasur të paktën dy persona të përafërt, personi i cili ka bërë njohje, në këtë rast i dëmtuari, e ka paragjykuar që në fillimi rezultatin duke u detyruar të njohë të vetmin person i cili është i ngjashëm me personin që ka kryer veprën penale. Për më tepër që nga ana e organit procedues nuk është shpjeguar se ku janë marrë këto fotografi dhe periudhën në të cilën janë marrë; nëse fotografitë janë të hershme apo nëse këto të fundit janë marrë në peiudhë të afërt me faktin objekt gjykimi”.

Për këtë arsye, Gjykata mbështetur në të dhënat e mësipërme, çmoi se nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri të ketë konsumuar nga ana objektive elementët e figurës së veprës penale “Vjedhja me dhunë” parashikuar nga neni 139 i Kodit Penal duke e shpallur atë të pafajshëm.