Gjergj Mandreja/ Arkivi i Mirditës, tre vjet pa funksionim

354
Ajo që nuk ka ndodhur ndonjëherë në këto vite të demokracisë, në Arkivin e Mirditës është larguar arbitrarisht nga puna punonjësja e këtij arkivi Angjelina Marku, pa shkak e arsye, me urgjencë nga prefektura e Lezhës pa e zëvendësuar atë, duke lënë për afro tre vjet të mbyllur arkivin. Ende pa kaluar 10 ditë nga koha kur KQZ shpalli fitues koalicionin e majtë, Prefektura e Lezhës, me anë të një punonjësi të arkivit të saj, mori në dorëzim të gjithë dokumentacionit sipas inventarit të arkivit, pa e kuptuar se do ishte vetë ky, që do vinte me ditë në Rrëshen në shërbim të banorëve të këtij rrethi, e kjo nuk ndodhi për mungesë kuadri por si rezultat i një konflikti në mes dy zyrtarëve të pushtetit. Thuhet se punonjësja Angjelina Marku është pushuar nga ky pozicion pune, se qenka punësuar nga PD dhe se është anëtare e saj. Ndoshta dhe kjo mund të ketë qenë një nga arsyet minimale, se nuk ishte kjo e vetmja si punonjëse e kësaj force politike pasi janë të gjitha institucionet e administrate së Mirditës të ardhur nga kjo parti, por më shumë ka qenë një alibi për të fshehur një konflikt në mes dy zyrtarëve, të Rrëshenit dhe të Lezhës. Burimet konfidenciale për mediat shpjegojnë se kanë qenë në konflikt dy zyrtarë të lartë të PS, që kërkonin për të realizuar dëshirat dhe preferencat e tyre për kapjen e këtij pozicioni pune të Angjelina Markut, nga të afërmit dhe të preferuarit e tyre. Por megjithëse kanë kaluar vite sot e kësaj dite asnjëra palë nuk kanë dhënë dakordësinë dhe këtë mosmarrëveshje në mes tyre e vuajnë banorët e Mirditës. Kjo ka bërë që nomenklatura përkatëse vendin e Angjelina Markut ta lëjë vakant, duke mos i dhënë një zgjidhje. 
Ndëshkimi i mirditorëve
Konflikti midis zyrtarëve të shtetit, për interesa vetjake që vijojnë prej 3 vjetësh, nuk duhet të ndëshkojnë banorët e Mirditës duke lënë të mbyllur arkivin aq të nevojshëm e të domosdoshëm për qindra e mijëra banorë të këtij rrethi. Prefekti i asaj kohe, me konflikt interesi në këtë proces, ka dhënë një urdhër punonjësit të arkivit të kësaj prefekture në Lezhë që një ditë në javë, çdo të mërkurë, të shkoj në Rrëshen e të shërbej për dhënien e dokumenteve banorëve të këtij rrethi. Edhe sikur një ditë shërbimi në javë apo 4 ditë në muaj, siç ka urdhëruar Prefekti, punonjësi i arkivës nuk do të përballonte dot fluksin e kërkesave vetëm të Rrëshenit e jo më ato të 85 fshatrave të këtij rrethi. Sikur nga një ditë për fshat të punohej do i duheshin 3 muaj kohë ose 65 ditë për të ardhur te radha e dytë, çka do të thotë se kjo formë zgjidhje është vetëm për të shuar zërat e mirditorëve. Mbajtja në punë e arkivit në 5 ditët e javës, me punonjës stabël e vendas siç ka qenë vite më parë, jo vetëm se është e domosdoshëm për të përballuar fluksin e madh të kërkesave të përditshme, pasi janë të paevitueshme marrja e dokumenteve për pasuritë e paluajtshme apo të banorëve për vitet e punës që ju duhen për të dale në pension, pasi të gjitha ndërmarrjet ekonomike dhe kooperativat bujqësore që kanë funksionuar para vitit 1990, pas këtij viti nuk ekziston asnjë prej tyre dhe dokumentet e tyre e regjistrat themeltarë që ju kërkohen këtyre personave ndodhen te ky arkiv. Dhe sikur të ndërtohet një grafik ky nuk mund të zbatohet, pasi është e vështirë nga funksionimi. Duke shpresuar se Prefekti aktual i Lezhës, Eduart Ndreca nuk ka konflikt interesi si paraardhësi i tij, duhet të merren në konsideratë shqetësimet e banorëve të Mirditës për emërimin e punonjësit të arkivit të Mirditës. 
Sigal