Edhe policia franceze po heton grabitësit shqiptarë të Rinasit

521
Sigal

Policia e Shtetit ka arrestuar katër persona të cilët dyshohet se kanë lidhje me grabitjen e ndodhur në datën 9 Prill në aeroportin e Rinasit. Mësohet se tre prej tyre janë bashkëpunëtorë ndërsa njëri prej të arrestuarve dyshohet se ka marrë pjesë në grabitje.

Makina u modifikua në Elbasan. Nën hetim edhe një femër

Prokurorët dhe grupi i hetimit kanë provuar se automjeti që u përdor për të kryer grabitjen është modifikuar në një pikë servisi në qytetin e Elbasanit, në një lagje të njohur. Sipas informacioneve mësohet se dy nga 4 të arrestuarit janë modifikuesit e furgonit. Por servisi kishte më shumë se 6 muaj që i ishte dhënë me qira pikërisht Klement Calës, i cili ka nënshkruar kontratën përmes të afërmit të tij. Klement Cala është person i kërkuar dhe dyshohet se është një prej personave të shpallur në kërkim në lidhje me grabitjen e ndodhur në aeroportin e Rinasit. Një tjetër person nën hetim është edhe kushëriri i një të shumëkërkuari në disa krime të ndodhura në vendin tonë. Hetuesit kanë gjetur edhe dhjetëra gjurmë në automjetin që grabitësit nuk e dogjën dot, por edhe kanë sekuestruar pamjet e dhjetëra kamerave të sigurisë, të cilat janë zbardhur në laboratorin e kriminalistikës. Mes të hetuarve nuk përjashtohet edhe një femër, që mesa duket ka luajtur një rol ndihmës. Njëri prej personave të identifikuar mësohet se është ish-komando i forcave speciale të ushtrisë shqiptare. Cala nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai, pas vdekjes së Admir Muratajt është i vetmi person që është ende në kërkim si autor i grabitjes së ndodhur në Qafën e Kasharit në shkurt të 2017-s.

A ishin bandat e Elbasanit grabitësit në Rinas? Francezët po hetojnë

Pas grabitjes spektakolare të datës 9 prill, një grup ekspertësh të policisë franceze gjenden në Tiranë. Ata janë me mision për të trajnuar policët më të mirë, se si ata të maskohen dhe se si të infiltrohen. Por përveç kësaj, mësohet se zyrtarë të policisë kanë përfituar nga prezenca e francezëve në kryeqytet dhe iu kanë kërkuar këshilla dhe asistencë se si mund të shkohet në gjurmët e grabitësve në Rinas. Sugjerimi që kanë marrë, shtoi i njëjti burim i besueshëm është që “hetuesit të shkundin dosjet dhe të gjejnë ngjashmëritë mes ngjarjeve kriminale, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit, përfshi dhe Kosovën”. Diçka e tillë i ka shtyrë hetuesit të zgjojnë dosjet e fjetura në vite, të bujshme ose jo, por që të gjitha kanë një tipar, mënyrën ushtarake të grabitjes, kohën e llogaritur mirë dhe veprimet strategjike të grabitësve sikur ata të ishin duke zbatuar “një plan masash”.

Grupi i Admir Muratajt

Pyetja e parë që po zgjidhin hetuesit është, a ishte i shpërbërë në të vërtetë grupi i grabitësit të vrarë, atëherë kur u dënuan tetë persona për tre grabitje të dhunshme dhe kur veçuan gjykimin për kreun e grupit Murataj? Përgjigjja e tyre është që jo. Pyetja e dytë që ekspertët shtrojnë është: A vazhdon ende aktivitetin në fushën e grabitjeve të dhunshme njëri nga anëtarët e arratisjes së Trikallas, që la burgun në vitin 2013 bashkë me 7 shqiptarë të tjerë. I arratisur njëkohësisht me Admir Muratajn dhe Ilir Kupën, Klement Cala vazhdon të jetë në arrati dhe njeriu hije për policinë, pasi nuk ka asnjë të dhënë për të. Edhe grupi i Babagjyshëve me gjashtë anëtarë dhe që kishte si shef Ilir Kupën, u dënua për një seri grabitjesh. Në këtë grup, ku bën pjesë Agustin Sula, Ilir Kupa, Enea Qerushi, Hajdar Stefa, Edmond Selala dhe Mark Shpendi. Ngjashmëria me grupin e Babagjyshëve lidhet jo vetëm me dhunën, por edhe me mënyrën si maskohen anëtarët, të njëjtë si veshja e Santa Klaus në një qendër tregtare.

Ish-ushtarakët

Një ekspert i policisë, që hetoi gjatë grupin Murataj për grabitjen në afërsi të stacionit të trenit dhe më tej në aksin e Rinasit, tregon se si grupi afroi pranë vetes edhe ish-ushtarakë. Oficeri i policisë kujton, se gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve, Admir Çerpja, përpara se të thyhej, i kishte kërkuar mbrojtje për veten dhe familjen, “sepse ata janë të dhunshëm dhe ndihem i rrezikuar”, kishte thënë djali nga Zall Dardha e Dibrës. Ish-polici privat Fatjon Xhyliu, në fakt sapo ishte rekrutuar nga grupi dhe pikërisht nga Dash Kupa, një ish-i burgosur në Greqi, ku edhe ishte takuar me Muratajn. Më herët në grup ishte rekrutuar edhe Ditjon Memlikaj, i cili gjithashtu ishte i papunë.