“Biznesi i drogës i kudondodhur”, media austriake jehonë trafikut të kokainës dhe klandestinëve nga Shqipëria

205
Sigal

Media austriake “Heute” përmes një artikulli të publikuar disa ditë më parë evidenton problematikën e trafikut të klandestinëve dhe drogërave nga Shqipëria drejt Austrisë.

Teksa zbulon detaje nga vizita e fundit e ministrit të Brendshëm austriak, Karl Nehammer, në Ballkanin Perëndimor, “Heute” shkruan se Shqipëria, Kosova dhe Mali i zi konsiderohen si rajone tranzit për emigrantët e paligjshëm.

Sipas “Heute” tabulatet telefonike të emigrantëve arabë të mbërritur në Austri, kanë zbuluar se ata kanë shkuar aty përmes kalimit nga Shqipëria.

“Ballkani Perëndimor Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi të vizituara nga Nehammer konsiderohen rajone tranzite për emigrantët. Deri më 21 shtator, rreth 700 kërkesa për azil ishin bërë në Shqipëri. Gjatë së njëjtës periudhë, autoritetet morën më shumë se 8,300 refugjatë – shumica e tyre nga Siria, Afganistani dhe Bangladeshi. Prandaj Nehammer thekson: “Krimi nuk njeh kufij kombëtarë, kriminelët veprojnë pa kufij”.

Një fenomen aktual për autoritetet në të dy vendet janë aktualisht emigrantët ilegalë nga rajoni arab. Sipas Ministrisë së Brendshme, analizat e të dhënave të celularëve tregojnë se njerëzit nga vendet arabe fluturojnë për në Shqipëri dhe më pas mbërrijnë në Austri”, thuhet në artikull.

Gjithashtu artikulli ndalet dhe tek trafiku i drogës, ku e vë theksin tek kokaina e kapur në Portin e  Durrësit. “Hute” shkruan se Durrësi është kthyer në një nga portet e kalimit të drogës nga Amerika Latine në Evropë përmes kompanive të bananeve.

Kanabisi, kokaina dhe emigrantët e paligjshëm, janë 3 arsyet sipas “Hute”, pse qeveria austriake po asiston me ndihmë logjistike dhe përmes trajnimeve Ministrinë e Brendshme shqiptare.

“Vetëm në vitin 2020, policia në Shqipëri sekuestroi rreth 4.4 ton kanabis, plus 1.4 ton hashash. Një pjesë e madhe e të cilit transportohet përmes Portit të Durrësit.

Durrësi konsiderohet një pikë e nxehtë, për më tepër si një nga pikat më të mëdha të bartjes së drogës në Evropë.

“Porti i Durrësit në veçanti tregon në mënyrë mbresëlënëse sa i rëndësishëm është bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e kontrabandës dhe krimit të organizuar,” theksoi ministri i brendshëm i PVP Karl Nehammer gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Sepse kokaina, e cila vjen nga Amerika e Jugut, furnizohet pothuajse në të gjithë Evropën Perëndimore nëpërmjet qytetit bregdetar.

Bandat e drogës përdorin kryesisht importin e bananeve. Duke iu referuar kësaj, një zyrtar austriak thekson se: “Importi i bananeve në vend është rritur jashtëzakonisht gjatë viteve të fundit”.

Biznesi i drogës është i kudondodhur në Shqipëri. Të martën e kaluar një oficer policie u vra pas një shkëmbimi zjarri gjatë një bastisje droge. Kjo është një nga arsyet pse vendi i Ballkanit Perëndimor dëshiron të përfitojë nga njohuritë austriake”, përfundon artikulli.