Banorët vazhdojnë të vuajnë pasojat e përmbytjeve, të ditëve të fundit

389
Në shumë qarqe të vendit, banorët vijojnë të vuajnë pasojat e përmbytjeve të ditëve të fundit. Kështu, të ndodhur para një situate emergjence, nga mungesa e veshmbathjeve, ushqimeve, apo orendive elektroshtëpiake, banorët në Vlorë, të prekur nga përmbytjet apelojnë për ndihmë. Krahas familjareve, goditje te forte nga përmbytjet pësoi edhe biznesi. Në zonat e prekura janë mbi 1400 biznese të vogla të dëmtuara, si oficina, ushqimore, punishte, furra buke, etj. Ndërkohë bashkia e Vlorës ka punuar përgjatë gjithë natës për heqjen e inerteve dhe gurëve nga rruga në zonën e ujit të ftohte. Jashtë vëmendjes së shtabit të emergjencave ka mbetur bashkia e Selenicës. Tre ditë nga përmbytjet e së dielës, bilanci është 50 familje në Dushkarak dhe Vllahinë vijojnë të vuajnë pasojat e vërshimit të ujit. Sipas të dhënave nga bashkia e Selenicës, vlera e dëmit në bizneset e përmbytura përllogaritet në të paktën 500 mln lekë të vjetra deri me tani.

Përmbytjet në Fier i dhanë goditje të rëndë sipërmarrësit të sektorit tekstil në zonën e njohur si “ura me Shkallë”. Viktor Karroqe pohon se gjatë 25 viteve që ka hapur aktivitetin, është përmbytur disa herë, por jo si këtë të dielë, ku dëmi paraprak e kapërcen shumën e 1.5 milionë lekëve të reja. Ndërsa në Shkodër, 5 fshatra të njësisë administrative të Hajmelit prej disa ditësh kanë mbetur të izoluar si pasojë e shembjes së një ure. Problematike është situata edhe në Elbasan. Shkatërrimi i një pjesë të argjinaturës së përroit të zaranikës, kërkon investim urgjent nga qeveria, në mënyrë që të shmangen fatkeqësi të mundshme në rast reshjesh intensive. deklarata vjen nga kreu i bordit te kullimit në Elbasan Astrit Xhelili, i cili thekson se në argjinaturën mbrojtëse të përroit nuk është ndërhyrë prej viteve 70. Keto argjinatura të vjetëruara sipas Xhelilit nuk japin garanci për shamgnien e përmbytjeve.
Sigal