‘Babagjyshët’ e Tiranës, bastisin me armë bankën në Vlorë

411
Sigal

VLORË- Marrin peng policin roje dhe punonjësen, boshatisin arkën e filialit të bankës, e me breshërinë e kallashnikovëve ‘përshëndesin’ policinë dhe largohen me automjetin, të cilit i vënë flakën disa kilometra më larg. Ndërsa blutë e qytetit të Vlorës, të përforcuar nga RENEA dhe helikopterët, ende vazhdojnë kërkimet, por pa rënë në gjurmët e tyre. Nisur nga mënyra e grabitjes, veprimet si në filmat horror dhe nga hetimet paraprake, dyshohet që grabitësit e filialit të bankës së njohur në Dukat të Vlorës, të jenë ‘Babagjyshët’ që grabitën në prag të Vitit të Ri tek TEG-u në Tiranë, e më pas dhe në Prizren. Ngjarja, sipas burimeve zyrtare për “Telegraf” ka ndodhur paraditen e së mërkurës në filialin e bankës në Orikum. Mësohet se, grabitësit kanë qenë tre persona të armatosur. “Dy nga grabitësit kanë hyrë brenda në bankë për të realizuar vjedhjen, ndërkohë që i treti ka neutralizuar rojën e bankës, duke i mbajtur përgjatë gjithë kohës që kryhej grabitja armën në kokë. Gjithashtu, grabitësit kanë qëlluar me armë në ajër duke shkaktuar panik në zonë. Të tre janë larguar nga vendngjarja me anë të një mjeti tip “Benz” me ngjyrë të bardhë me targa të Tiranës  dhe më pas janë fshehur në një pyll në zonën e njohur si fusha e fshatit Dukat.  Makinës i është vënë zjarri nga grabitësit në hyrje të pyllit me qëllim humbjen e gjurmëve. Në operacionin për kapjen e 3 grabitësve janë angazhuar veç forcave të policisë Vlorë dhe ato të RENEA-s ndërkohë që, krehjes së zonës në terren po i vjen në ndihmë edhe patrullimi nga ajri përmes helikopterit të policisë”,- shtojnë burimet për “Telegraf”. Ndërsa burimet e rezervuara policore japin dhe detaje të tjera. “Në filialin e bankës së Orikumit janë grabitur 5 milionë lekë të vjetra. Ruajtja dhe siguria në këtë institucion e disa filiale të tjera në Vlorë, sigurohet nga policia private ‘Aulona-Pol’. Kohëve të fundit janë realizuar disa grabitje në banka (në njërën prej tyre tre herë), por nuk ka të akuzuar e të arrestuar për këto krime”,-shtojnë burimet e mësipërme. Konfirmohet se për grabitjen e djeshme ka disa të shoqëruar, por nuk janë identifikuar autorët.