Arrestohet bashkëpunëtori i të arratisurit, Bledar Zefi

Arrestohet bashkëpunëtori i Bledar Zefit, shtetasit të dënuar me 10 vite burg në Itali, por që arriti të arratisej dje vetëm një orë pas arrestimit në komisariatin nr. 3. Policia e Tiranës njoftoi sot arrestimin e Mir (Dashnor) Kotarja, 34 vjeç, për të cilin rëndon e njëjta akuzë “vjedhje me armë”, por që gjykata italiane ende nuk ka vendosur dënimin.
34-vjeçari Kotarja ndodhej në kërkim ndërkombëtar, pas urdhrit të arrestit të lëshuar nga Gjykata e Xhenovës. Arrestimi i tij u krye ditën e djeshme mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative. Kotarja, banues në Tiranë, u kap me qëllim ekstradim drejt shtetit të Italisë.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Interpol Tiranë, pasi Gjykata e Hetimeve Paraprake të Xhenovës, ka lëshuar urdhrin e arrestit datë 10.07.2015, për veprën penale: “Vjedhje me armë”, parashikuar nga legjislacioni penal italian.
Ky shtetas dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor në Itali me shtetasin Bledar Zefi, i arratisur ditën e djeshme nga mjediset e Komisariatit nr.3, i cili është dënuar për të njëjtën vepër penale.
Bledar Zefi, nga fshati Fushë-Arrëz i Pukës, u vu në pranga dje rreth orës 10:00, nga efektivët e Komisariatit nr.3 në Tiranë. Zefi rezultonte në kërkim ndërkombëtar për “vjedhje me armë, e organizuar në grup kriminal”. Sipas policisë, Bledar Zefi arriti t’i shpëtonte efektivit të policisë, ndërsa ky i fundit po e shoqëronte për në tualet.
Sigal