“Arrest me burg” për djalin e deputetit socialist

514
Sigal

Gjykata e Krujës ka dhënë masën e arrestit me burg për djalin e deputetit të PS-së Rahman Rraja, Rexhepin.

Ky vendim vjen pas dhunimit që ai i ka bërë Xhisiela Malokut, në muajin Korrik, ngjarje kjo e cila u mbajt e fshehur nga ana e policisë dhe ditët e fundit ka sjellë një sërë tensionesh mes kampeve politike në vendin tonë.

Ka qenë prokuroria e Krujës ajo që ka kërkuar masën e arrestit me burg, dhe më pas vendimi është dhënë nga Gjykata. Policia ka arrestuar Rrajan dhe tashmë djali i deputetit të PS-së ndodhet në ambientet e komisariatit.

Me këtë arrestim konfirmohet në mënyrë të pjesshme dëshmia e Emiljano Nuhut, oficerit të policisë gjyqësore që tashmë mbetet në arrati, ndërsa mbetet ende e pazbardhur çështja nëse në këtë ngjarje janë implikuar për ta mbyllur dhe deputetët Rraja dhe Taulant Balla.

Kujtojmë se në ekspertizën e së resë thuhej se Xhisiela ka qenë objekt dhune. Në dokument thuhet se vajza ka shenja dhune në shpatull, ndërsa djegie me cigare ne kofshë.

“Dërrmishtja në shpatullën e djathtë dhe ekimozat në pulpën dhe kërcirin e majtë, janë shkaktuar me mjet mbretës. Dërrmishjet e vërejtura në kofshën e djathtë, janë shkaktuar nga veprimi i faktorëve termikë, sic mund të jetë edhe cigarja”.

Dëmtimet e konstatuara në trupin e 25-vjecares, sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore, hyjnë në kategorinë e dëmtimeve të cilat sjellin si pasojë humbjen e aftësisë së përkohshme për punën në masën prej 9 ditësh.”