Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj pranë qytetit Koblenz, Gjermani, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, si pasojë e këtij aksidenti tragjik kanë humbur jetën tre shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale.
Autoritetet shqiptare në Gjermani, përmes Ambasadës në Berlin dhe Konsullatës së Përgjithshme në Mynih, janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet vendase dhe po ndjekin nga afër zhvillimet. Hetimet për shkaqet e aksidentit janë ende në proces.
Ministria shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uron shërim të shpejtë për të plagosurit. Strukturat konsullore shqiptare në Gjermani kanë ofruar ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për të prekurit nga kjo ngjarje e rëndë. Për më shumë informacion, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin emergjent të vendosur në dispozicion: +49 1523 79 13 997.
Njoftimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë:
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është informuar nga autoritetet gjermane për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj, pranë qytetit Koblenz, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë.
Me keqardhje njoftojmë se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe kanë ndjekur nga afër zhvillimet. Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uron shërim të plotë për të plagosurit. Strukturat tona konsullore kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për qytetarët e prekur dhe kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës. Për çdo informacion shtesë, lutemi të kontaktoni në: +49 1523 79 13 997″