10 vjeç kur i ati vrau 2 persona, me kë jetonte Marjo Majollari dhe refuzimi i kërkesës për azil

749
Kanë dalë detaje të reja në lidhje me vrasjen e Marjo Majollarit, i cili u vra dje në zonën e Kinostudios në kryeqytet.
Gjatë natës së sotme janë shoqëruar në Polici 10 persona, ndërsa janë sekuestruar kamerat e bizneseve përreth vendit ku ndodhi atentati ndaj 28-vjeçarit. Familjarë të Marjos të kontaktuar nuk kanë dashur të prononcohen, duke thënë se djali nuk ishte përfshirë në asnjë aferë të dyshimtë.
Marjo Majollari duket se e parandiente një hakmarrje të mundshme, pasi në 2015-tën, një vit pas arrestimit të të atit të tij kishte shkuar për të kërkuar azil në Suedi.
Pas refuzimit të kërkesës për azil, ai u kthye në Shqipëri dhe tashmë jetonte vetëm me të ëmën pasi ishte djalë i vetëm.
Pista kryesore në të cilën po heton Policia për vrasjen është ajo e hakmarrjes, pasi Avni Majollari, babai i viktimës është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy personave në zonën e Dajtit në vitin 2000.
Avni Majollari jetonte prej 14 vitesh në arrati, edhe pse i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë.
Policia e Tiranës e arrestoi në vitin 2014 në rrugën “Ibrahim Brahja” në kryeqytet. Në momentin e arrestimit, 44-vjeçari, banues në Tiranë u kap edhe me armë pistoletë në brez, kurse në banesë iu gjetën një automatik, një tjetër pistoletë dhe sasi municioni që u sekuestruan si prova materiale.
Sigal